PD: Qeveria, tinëzare me parkun. Reagon kundër projektit edhe shoqëria civile

08/07/2015 00:00

Një ditë pas tërheqjes së qeverisë nga konkursi për projektin e hyrjes së Parkut të Liqenit Artificial, duke e shtyrë atë për në vjeshtë, reagoi Partia Demokratike përmes Jorida Tabakut.

Tabaku i kërkoi kryetarit të zgjedhur Erion Veliaj të thyejë heshtjen për këtë projekt, duke i kujtuar atij premtimin elektoral për tre vjet moratorium në ndërtim.

“Nuk do të jetë e largët dita kur do të shohim të njëjtin projekt edhe për sheshin “Skënderbej”, për betonizim aty ku ka hapësira publike, ashtu sikurse nuk do të jetë e largët kur të shohim të gjithë Parkun e Liqenit të Tiranës të betonizuar. Përfitoj nga rasti që t’i bëj thirrje kryetarit të ri të bashkisë, zotit Erion Veliaj, të dalë dhe të deklarojë që nuk do të lejojë ndërtime”, tha Tabaku.

Ndërsa zonja Tabaku nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, duke u mjaftuar me deklaratën e përgatitur, përfaqësues të shoqërisë civile pak orë më vonë protestuan në të njëjtin vend. Ata e nisën denoncimin me lejen e dhënë nga Basha për pallatet tek diga dhe i kërkuan qytetarëve të reagojnë për të mos lejuar projekte të tjera në këtë zonë të trashëgimisë kulturore.

“E dini ju pse u shty për në vjeshtë? Jo nga presioni i pakët qytetar, por sepse studiot e huaja nuk arrijnë ta marrin me mend si mund të ndërtojnë në zona me trashëgimi kulturore. Është manipulim ai që u tha dje. Le të mblidhemi çdo të enjte të protestojmë para Parlamentit, derisa ta kthejmë mbrapsht këtë projekt të çmendur”, tha Sazan Guri.

Top Channel