Turi i Francës, sot etapa e pestë. Homazh ndaj të rënëve të Luftës së Parë Botërore

08/07/2015 00:00

E mërkura do t’i lërë radhën etapës së pestë të Turit të Francës, një etapë pedalimi nga Arras drejt Amiensit prej rreth 189,5 kilometrash, pa ndonjë vështirësi të madhe ngjitjeje, por me shumë kthesa dhe nën ndikimin e erës.

Gjithçka fillon më 12:45 pas mesdite, teksa në të gjithë itinerarin e saj, kjo etapë u bën homazh të rënëve të Luftës së Parë Botërore, nga 1916 deri në 1918, pasi kalon pranë varrezave të Notre Dame de Lorette (km 14,5) dhe në përkujtimoren e Luftës së Madhe (km 99,5).

Fundi i etapës rezervon një sprint të fortë dhe duel mes çiklistëve të shpejtë. Mbajtësi i fanelës së gjelbërt, Andre Greipel është i vetmi, i cili ka arritur objektivin e tij.

Mark Cavendish duket i gatshëm për revansh, edhe pse skuadra e tij “Etixx-QuickStep” mbetet e fokusuar në ruajtjen e fanelës së verdhë të Tony Martin.

Veç tyre, ka edhe disa emra të tjerë, si Sagan apo Kristoff, që presin me padurim të tregojnë potencialin e tyre në këtë etapë të sotme, e cila do të trasmetohet në Top Channel menjëherë pas përfundimit të edicionit informativ.

Top Channel