Prokuroria e Tiranës kërkon 6 muaj burg për Stresin

08/07/2015 00:00

Prokuroria e Tiranës, në pretencën e saj të paraqitur në gjykatë këtë të mërkurë ka kërkuar dënimin me 6 muaj burg të reperit Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit, Stresi.

Sipas hetimeve, ka rezultuar se Stresi është fajtor për mosbindje ndaj urdhrit të policisë në postobllok për të ndaluar dhe për drejtim mjeti pa patentë.

Prokuroria ka kërkuar dënimin me 1 muaj për kundërshtim të policisë dhe 5 muaj për drejtimim të automjetit pa lejen përkatëse.

Arkimed Lushaj u shoqërua në polici në fund të muajit janar të këtij viti, pasi u ndalua në zonën e Laprakës në kryeqytet. Ai u shoqërua në komisariatin e policisë rrugore, për t’iu nënshtruar testit të alkoolit dhe për verifikimet e rastit, pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.

Atëherë u raportua se, Stresi nuk kishte konsumuar alkool, ndaj do të procedohej penalisht vetëm për “mosbindje ndaj urdhrit të policisë”. Por rreth orës 08.00 të një ditë më pas, Arkimed Lushaj, u arratis nga komisariati i policisë.

Arratia e tij u konstatua 3 minuta më pas, ndërkohë që u morën masa displinore ndaj disa efektivëve të policisë.

Stresi u prangos në Tiranë mesditën e 21 qershorit, ditën e zgjedhjeve, por u lirua disa orë më pas, pasi nuk figuronte në listen e personave të shpallur në kërkim.

Top Channel