Basha: Projekti i Ramës, klientelist. Pasojë e 21 qershorit

08/07/2015 00:00

Për Lulzim Bashën, konkursi i pjesës hyrëse të Parkut të Liqenit është pasojë e zgjedhjeve të 21 qershorit. Sipas tij, është axhenda klienteliste që po dikton tani këtë vendimmarrje të kryeministrit si shpërblim ndaj blerjes së votës.

“Nuk ka ndodhur kurrë që një projekt i tillë t’i mbahej i fshehtë publikut në fushatën e porsambyllur elektorale. Nuk ka ndodhur që projekti i mbajtur i fshehtë të nxirret nga sirtari, të shpallet dhe të lançohet pa përfunduar akoma procesi zgjedhor, pa bërë dorëzimet kryebashkiaku në detyrë dhe pa marrë detyrën kryebashkiaku i ri dhe para çdo projekti tjetër të premtuar në fushatë nga ai”, deklaroi Basha.

Por kreu i demokratëve, që foli për herë të parë për këtë çështje, vetëm e denoncoi atë si tregues të asaj që quajti “babëzia e Ramës për betonizimin e Tiranës”. Kryetari i opozitës nuk tha se cili do të jetë qëndrimi i partisë që drejton në rast të realizimit të këtij projekti. Ai e lidhi atë vetëm me zgjedhjet vendore dhe e përmendi si fakt të nevojës së Ramës për fitore në këtë garë.

Ringritjen e zgjedhjeve, me të cilën nënkupton rritjen e standardeve në garat elektorale, Lulzim Basha e vendosi në tre prioritetet e partisë që drejton, nga e cila pati zëra me peshë që i kerkuan atij reflektim për pranimin e humbjes.

“Po, do të shohim brenda vetes, do të dalim në përfundime realiste për rezultatin e çdo kutie, do të njohim pa asnjë kompleks  të metat dhe defektet, do të marrim masa për t’u korrigjuar aty ku nevojitet”, theksoi Basha.

Por pavarësisht kësaj, kryetari i PD nuk do të heqë dorë nga anatemimi i zgjedhjeve si pa standarde, për të cilat siguroi se ka mbështetjen më të gjerë që ka pasur ndonjëherë nga faktori ndërkombëtar, tek të cilët nënkuptoi edhe ambasadorin e SHBA, me të cilin u takua një ditë më parë.

Dekriminalizimi është beteja tjetër e opozitës që shpalli Basha nga mbledhja e grupit, ndërsa lufta kundër korrupsionit është tjetra. Këtë të fundit Basha e nisi duke denoncuar mungesën e 150 milionë dollarëve nga mbledhja të ardhurave në Tatime dhe Dogana, si pasojë e kontrabandës dhe evazionit.

“Tatimet dhe doganat janë një histori e pastër kriminale e kontrabandës dhe evazionit të kontrolluar nga një kastë në krye të pushtetit. Prokuroria duhet të hetojë për këto krime të përbindshme që shkatërrojnë ekonominë kombëtare, zgjedhjet dhe demokracinë. Punonjësit e ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm të këtyre sektorëve kyçë duhet të reagojnë me kurajo qytetare kundër marrjes peng të sistemit nga një grusht drejtuesish dhe supërhadutësh, kundër paligjshmërisë në çdo formë që të shfaqet. Opozita do të thërrasë me urgjencë para Komisionit të Ekonomisë dhe Financave ish-drejtorin e hetimit tatimor dhe çdo zyrtar tjetër që ka dijeni për aferat marramendëse që provokuan edhe dorëheqjen e tij”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se ka të dhëna se qeveria po përgatit një projektligj për uljen e të ardhurave të planifikuara nga doganat dhe tatimet për pjesën e dytë të vitit. Kjo, për Bashën do përligjë evazionin dhe vjedhjen, duke patur ndikim të lartë në përkeqësimin e ekonomisë vendase. 

Top Channel