Durrës, grabitet një filial banke. Kapet një prej autorëve, identifikohet i dyti

08/07/2015 00:00

Filiali i një banke të nivelit të dytë u grabit mesditën e së mërkurës në qendër të Durrësit. Ngjarja ndodhi rreth orës 13.30, kur dy persona me maska dhe të armatosur kanë hyrë në ambientet e bankës dhe kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme parash.

Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve dhe punonjësit të sigurisë së bankës në çastin e daljes së dy personave nga banka, çoi në arrestimin e njërit prej autorëve. Ai është Alban Duka, 31 vjeç, me banim në Tiranë, ndërsa është identifikuar dhe po punohet për kapjen e autorit tjetër.

Në bankë grabitësit kanë mundur të marrin 8765 dollarë, 7015 euro dhe reth 1 milion e 800 mijë lekë.

Menjëherë në të gjitha hyrje-daljet e qytetit u ngritën postoblloqe dhe nga veprimet e kryera u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale një armë zjarri tip automatik kallashnikov, një pistoletë, 29 fishekë, një motoçikletë me të cilën u larguan nga vendngjarja, një makinë tip Jaguar me targë të maskuar, një maskë-paruke si dhe çanta që shërbente për vendosjen e parave së bashku me shumën e parave të grabitura brenda saj.

Top Channel