Ligji për turizmin, shoqatat kërkojnë standardizim të tregut

08/07/2015 00:00

Shoqatat dhe ekspertë të turizmit kërkuan, gjatë një seance dëgjimore në Kuvend, standardizimin e menjëhershëm të tregut, i cili prej vitesh po zhvillohet në mënyrë kaotike dhe në informalitet të plotë.

Ata kërkuan përfshirjen në ligj të strukturave akomoduese nën 6 dhoma, që përbëjnë pjesën më të madhe të tregut, por që operojnë jashtë tij.

“Kemi 10 vjet që këmbëngulim, kam qene vetë në Komisionin e Ligjeve, të mos hiqej licencimi ose e drejta e ushtrimit të aktivitetit dhe u hoq. U tha do bëhet me amandament dhe nuk u bë kurrë. Erdhën ministra, u fol, por nuk u arrit kurrë. Dmth kjo çrregullsi totale ka humbur tek të gjithë aktorët… s’ka ligje, hajde të mbijetojmë”, tha Enver Mehmeti, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit.

“Një tjetër problem është futja në ligj e pjesës së industrisë së akomodimit në vila dhe apartamente që përbën në Shqipëri 65 deri në 70% të tregut, por është jashtë tij, jashtë standardit dhe jashtë taksave”, tha Zak Topuzi, President i Shoqatës së Hotelierëve.

Standardizimi i tregut turistik është një nga çështjet më të nxehta të sektorit, për të cilën është folur shumë, por pa u zbatuar kurrë.

Ligji i ri që synon të rrisë numrit të turistëve dhe investimeve në turizëm parashikon standardizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese, sipas yjeve. Ministri i Turizmit Arben Ahmetaj tha se ky proces mund të kryhet me asistencën e një kompanie të huaj.

Top Channel