Totozani, në Lazarat: Ndal stigmatizimit të popullsisë së distancuar nga krimi

08/07/2015 00:00

Avokati i Popullit, Igli Totozani, i shoqëruar nga stafi i tij kanë qenë në Lazarat gjatë së mërkurës, ku është takuar me banorë të fshatit dhe ka dëgjuar ankesat e tyre për dhunë të ushtruar, sipas tyre padrejtësisht, prej forcave policore kundrejt dy personave, gjatë operacioneve të fundit të Policisë së Shtetit.

Pasi i ka siguruar banorët se, institucioni që ai drejton do të marrë në shqyrtim të gjitha ankesat që vijnë prej tyre, për t’i hetuar për shkelje të të drejtave të njeriut, Totozani është shprehur se nuk mund të trajtohen si kriminelë të gjithë banorët e fshatit Lazarat, e për këtë arsye, duhen shmangur qasjet stigmatizuese apo paragjykimet.

“Stigmatizimi mbetet një mendësi shqiptare që rëndon jo vetëm mbi banorët e ndershëm dhe të distancuar nga kriminelët në Lazarat, por edhe mbi shtresa të tjera sociale, si përshembull ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, ndaj komunitetit rom apo edhe kategori të tjera në nevojë të shoqërisë shqiptare”.

Banorë të Lazaratit kanë ngritur pretendime se janë trajtuar në mënyrë të padrejtë më shumë se 100 persona gjatë operacioneve të fundit të policisë në këtë fshat, madje flasin për procedura ligjore të shkelura, persona të ndaluar në mungesë provash dhe shantazh e frymë terrori kolektiv.

Gjithsesi, Avokati i Popullit ka theksuar se policia ka kryer detyrën e saj dhe se këtë e ka vërtetuar nga pohimet e shumicës së banorëve të takuar, të cilët shprehen të distancuar nga kriminelët dhe të keqardhur për situatën e krijuar në Lazarat pas eliminimit të plantacioneve të mbjella me marijuanë, një vit më parë, por edhe me vrasjen e një efektivi të forcave speciale RENEA, pak javë më parë.

Totozani ka dhënë garanci se stafi i tij do të regjistrojë çdo ankesë të qytetarëve dhe do të bëjë rekomandimet e duhura lidhur me to. Rekomandime që do të shkojnë për Policinë, Prokurorinë dhe gjykatat që, edhe pse janë institucione të pavarura, mund t’i marrin sugjerimet e Avokatit të Popullit për të përmirësuar sjelljen e tyre.

“Ne shqiptarët – theksoi ai, – jemi mësuar me stigmën e njohur tashmë, se çdo krim i kryer në ndonjë vend fqinj shoqërohej padrejtësisht me një emër shqiptari apo me përcaktimin e etnisë së kriminelit të supozuar, ndaj na është dashur të luftojmë shumë për këtë. Çdo banor i Lazaratit ka të drejtë të jetojë me dinjitet dhe strukturat shtetërore duhet t’u garantojnë shërbime cilësore dhe projekte zhvillimi. Ndaj dhe shoqëria nuk duhet t’i stigmatizojë”.

Top Channel