Forumi Ekonomik shqiptaro-gjerman, një kapitull i ri bashkëpunimi

08/07/2015 00:00

Sekretari i Shtetit në Ministrinë gjermane të Ekonomisë, Rainer Bake, deklaroi se vizita e Kancelares Merkel në Tiranë hap një kapitull të ri në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

“Gjermania është një partnere e rëndësishme ekonomike e Shqipërisë për shkëmbimin dypalësh të mallrave. Në vitet e kaluara ka pasur mbi 200 milionë euro shkëmbime, ndërsa tregtia është duke ecur në drejtimin e duhur. Njëkohësisht, këto marrëdhënie ekonomike ne mendojmë se duhet të zgjerohen dhe sot do të donim t’u jepnim impulse të reja. Jemi të bindur se firmat gjermane do të ndërtojnë një pozicion të fortë në Shqipëri”, tha Rainer Bake.

Në Forumin e përbashkët Ekonomik, të organizuar nga Dhoma gjermane e Tregtisë në Tiranë, Bake tha se, Gjermania synon të ketë më shumë investime në Shqipëri, duke evidentuar edhe fushat kryesore. Por, sipas tij, këto investime kanë nevojë për siguri dhe transparencë.

“Ne, investitorët gjermanë jemi të interesuar për një mënyrë procedimi transparente. Biznesi gjerman është i interesuar për një bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e mjedisit, atë të energjisë, të infrastrukturës dhe turizmit”, tha më tej Bake.

Siguria ligjore dhe veçanërisht problemet me pronën mbeten shqetësimet kryesore për investimet e huaja.

“Ne presim sigurisht siguri ligjore. Për ne, si zhvillues projektesh, në këtë kontekst është e rëndësishme kur flasim për shitblerjen e pronave, trojeve, zyrat kadastrale, hipotekat”, u shpreh biznesmeni gjerman Michael Ulmer.

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se, qeveria shqiptare është e vendosur të lehtësojë investimet e huaja. Ai përmendi faktin se, vitin e kaluar Shqipëria u ngjit 40 vende në renditjen e biznesit, ndërkohë që së fundmi janë miratuar një sërë ligjesh të tjera, si ai i Partneritetit Publik-Privat dhe ai i Investimeve Strategjike, që rrisin garancitë për biznesin.

“Nga njëra anë flitet për një koncept të ndjekjes me shpejtësi të investitorëve, qoftë ai i huaj apo vendas dhe, së dyti, i jepet parashikueshmëria maksimale duke marrë kontrata shtetërore, sipas përkufizimit në Parlament. Në Kuvend, kontrata mund të bëhet ligj, gjë që do të thotë një kontratë e sigurisë maksimale. Së treti, parashikohet për procedura të caktuara në mënyrë që të kthehet administrata në një agjent për investitorët”, tha ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Nën kryesimin e Gjermanisë, verën e kaluar u mbajt Samiti i Berlinit, një nismë që synon të kanalizojë në ekonomitë e Ballkanit miliarda euro investime në projekte madhore, si Autostrada e Kaltër dhe lidhjet energjetike.

Top Channel