Inflacioni bie në 1.4%; bien çmimet e energjisë dhe transportit, rritet kostoja për ushqimet

08/07/2015 00:00

Instituti i Statistikave raportoi se norma e inflacionit u ul në qershor për të dytin muaj më radhë, duke shënuar kuotën 1.4 për qind. Në dy muajt  parardhës prill dhe maj rritja vjetore e çmimeve ishte respektivisht, 2.3 dhe 1.8 për qind.

Sipas INSTAT, norma e ulët e inflacionit vazhdon të diktohet nga energjia, veshjet dhe shërbimet e transportit, çmimet e të cilave kanë rënë krahasuar një vit më parë. Po kështu, edhe çmimet e grupit “shëndeti” janë më të ulëta se sa vjet duke e mbajtur të ulët rritjen e kostos së përgjithshme të jetesës.

Ndërkaq, në kahun tjetër, me rritje janë çmimet e artikujve ushqimorë, pijeve alkolike e duhanit si dhe çmimet e shërbimit arsimor. Sipas INSTAT, i vetëm, grupi i artikujve ushqimor shpjegon 1.07 për qind në nivelin e inflacionit nga 1.4 për qind që është kuota totale. Kjo do të thotë mbi 75 për qind e rritjes në koston e jetesës krahasuar me vjet ka ardhur nga çmimet e ushqimeve.

Megjithatë, niveli prej 1.4 për qind i inflacionit vjetor është i ulët dhe poshtë objektivit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Banka preferon që rritja vjetore e çmimeve në treg të jetë në intervalin 2 deri në 4 për qind, pasi e gjykon këtë një nivel të përshtatshëm për të nxitur ekonominë.

Por prej me shumë se dy vjet, autoriteti qendror monetar ka dështuar ta rikthejë inflacionin në objektin ligjor, edhe pse e ka ulur normën bazë 13 herë më radhë, në përpjekje për të përshpejtuar rritjen e çmimeve. Pavarësisht uljes rekord të interesave, rritja e çmimeve ka qenë e dobët nën dy për qind, duke reflektuar më së shumti tkurrjen e konsumit nga qytetarët dhe biznesi, si dhe rritjen e dobët ekonomike.

Top Channel