Ambasadat e SHBA dhe Austrisë në Tiranë, nismë ligjore për fëmijët që lihen për birësim

08/07/2015 00:00

Përmirësimi i situatës ligjore për trajtimin e fëmijëve, prindërit biologjikë të të cilëve nuk mund të kujdesen dhe lihen për birësim, është objektivi i nismës së përbashkët të Ambasadave të SHBA-së dhe të Austrisë në Tiranë.

Ambasadori amerikan Donald Lu, dhe ai austriak, Thomas Schnoll janë takuar me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço të cilit i kanë prezantuar edhe nismën “Komiteti i Nenit 5”.

Ambasadorët vunë në dukje nevojën për t’i ndihmuar këta fëmijë në gjetjen e një familjeje dhe shtëpie të re sa më shpejt, duke minimizuar pengesat e mundshme burokraktike. Në lidhje me ndryshimet ligjore që propozohen përmes nismës “Komiteti Neni 5”, Ministri Naço u shpreh se paralelisht do të ishte e nevojshme edhe nisja e një fushate ndërgjegjësuese me synimin për të ndryshuar perceptimin e çështjes së adoptimit në vend.

“Rritja e ndërgjegjësimit, nisja e një fushate publike informuese lidhur me këtë çështje, bashkarisht edhe me miratimin e Strategjisë ndërsektoriale për fëmijët, do të garantojë suksesin e kësaj nisme, e cila mendoj se kërkon koordinim të plotë për të pasur një rezultat pozitiv”, u shpreh Naço.

Bashkëbiseduesit theksuan se gjetja e një zgjidhjeje sa më të mirë dhe të shpejtë për fëmijët e braktisur, birësimi i tyre në familje të përshtatshme, si dhe kontrolli në vijimësi i cilësisë së kushteve që këta fëmijë do të gëzojnë në familjet birësuese, duhet të mbetet në fokusin e këtyre ndryshimeve ligjore dhe punës së përditshme të organeve ligjzbatuese në vend.

Gjithashtu, u theksua nevoja që të garantohet mbrojtja dhe mirërritja e fëmijëve që ndodhen nën kujdesin e institucioneve publike.

Top Channel