Investimet gjermane në Shqipëri. Merkel: Garanci ligjore. Rama: Reforma në drejtësi do të rrisë kredibilitetin

08/07/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi forumin e përbashkët ekonomik për t’u bërë thirrje bizneseve gjermane të investojnë në Shqipëri. Zoti Rama tha se qeveria ka ndërmarrë një sërë reformash për të përmirësuar klimën e biznesit dhe nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.

“Janë investimet e huaja direkte ato që do të bëjnë diferencën në rrugën tonë të vështirë për të kaluar nga një model i vjetër dhe i shteruar ekonomik në një model ekonomik me burime dhe rritje të qëndrueshme. Jemi gati të mirëpresim investime gjermane në energji, naftë, turizëm, bujqësi dhe manifakturë”, tha Rama.
 
Kancelarja Angela Merkel tha se bizneset gjermane janë të gatshme të rrisin investimet në Shqipëri, por ato kërkojnë një ambient të sigurtë ligjor: “Ekonomia gjermane është e gatshme të investojë nëse ka përshtypjen se lëviz dhe investon në një terren të sigurtë për nga pikëpamja ligjore, duke shfrytëzuar avantazhet që ofron Shqipëria si vend investimi dhe duke shpresuar në mosndryshimin e befasishëm të kushteve”.

Një shqetësim të cilin kryeministri premtoi se do ta adresojë shumë shpejt, kur në Parlament të kalojë reforma rrënjësore e gjyqësorit: “Këtë vjeshtë, Parlamenti ynë do të kalojë një reformë rrënjësore të sistemit të drejtësisë. Kjo reformë e vonuar për kaq shumë vite do t’i hapë rrugë një procesi të thellë transformimi të pushtetit gjyqësor. Kam bindjen se do të jetë recetë fituese për të asgjësuar kancerin në sistemin e drejtësisë. Kështu do të rritet edhe besimi i investitorëve te rendi ligjor ekonomik i vendit tonë dhe besueshmëria e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE”.

Veç zotimit për rritjen e investimeve private, kancelarja gjermane mori edhe një angazhim tjetër në Shqipëri, që lidhet me një iniciativë personale të saj, të pagëzuar si “nisma e Berlinit”. 

“Në kuadër të konferencës së Ballkanit Perëndimor, kanë lindur projekte mjaft të mira. Kryeministri tha se njerëzit duan të shikojnë rezultate konkrete. Së afërmi, do të takohemi në Vjenë në kuadër të së njëjtës konferencë, ku do të diskutojmë në mënyrë konkrete lidhur me autostradën në bregun adriatiko-jonian. Mendoj që jemi fokusuar në këto projekte të përbashkëta në sektorin e transportit dhe energjisë”, tha Merkel.  

Gjermania mbetet një nga donatorët më të mëdhenj në Shqipëri, me gati 1 miliardë euro të investuara, por siç e theksoi kryeministri Rama, përtej aspektit financiar, ndihma gjermane ka një vlerë të jashtëzakonshme në transferimin e njohurive për ekonominë.

Top Channel