Gramsh, ariu sulmon bariun. Rëndë 17-vjeçari

08/07/2015 00:00

Një bari 17-vjeçar është sulmuar nga një ari teksa kulloste bagetitë në mal, duke marrë plagë të rënda në trup.

Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të mesditës, kur 17-vjeçari me inicialet F.H, me banim në fshatin Kabash të komunës Poroçan, ka qenë duke kullotur bagëtitë në pyjet e fshatit, kur papritur është sulmuar nga ariu.

Në përpjekje për t’i shpëtuar sulmeve të kafshës, 17-vjeçari ka tentuar të largohet, po ka rënë në një humnerë. Kanë qenë disa barinj të tjerë që pasi kanë dëgjuar ulërimat e tij kanë lajmëruar policinë dhe ambulancën e fshatit.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur ambulanca, e cila i ka dhënë ndihmën e parë bariut dhe më pas helikopteri që ka bërë të mundur transportimin e adoleshentit drejt spitalit të Tiranës, ku ai po merr ndihmë të specializuar.

Mësohet se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë si pasojë e goditjeve të putrave të ariut në pjesë të ndryshme të trupit, por edhe nga rënia nga një lartësi prej rreth 40 metrash në humnerë.

Top Channel