Mustafa për takimin me Merkel: Gjermania do mbështesë Kosovën

08/07/2015 00:00

Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë ndonjë hap drejt riprocedimit të amendamenteve kushtetuese për miratimin e Gjykatës Speciale, ashtu siç paralajmëroi ditën që Parlamenti e rrëzoi krijimin e saj.

Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e radhës të qeverisë ka kujtuar se Kosova ka detyrime ndërkombëtare që dalin nga marrëveshja për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe nga letërkëmbimi i presidentes Jahjaga me baroneshën Catherine Ashton, ku përfshihet edhe gatishmëria e Kosovës për ta krijuar këtë gjykatë.

Kryeministri i bëri këto komente në kuadër të raportimit për vizitën e tij në Berlin dhe takimin me kancelaren gjermane Angela Merkel.

“Kemi shprehur zotimin tonë se ne do të punojmë në këtë aspekt, sepse dëshirojmë të arrijmë synimet tona të integrimit dhe njëkohësisht të përmbushim detyrimet tona ndërkombëtare, që i kemi marrë nga letërkëmbimi i baroneshës Ashton dhe me ratifikimin e marrëveshjes së parë në 2013″, deklaroi Mustafa.

Në takimin me kancelaren gjermane, që siç tha Mustafa ka zgjatur 1 orë e gjysmë, u diskutuan tema të ndryshme, mes të cilave gatishmëria e Gjermanisë për ta mbeshtetur Kosovën në zhvillimin ekonomik.

Si projekt konkret, por që ende mbetet çështje e hapur, Mustafa përmendi interesin e kompanisë gjermane “Bilfinger” për riaktivizimin e projektit “Kosova A”.

“Kemi marrë një përkrahje të madhe e të drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjes së investimeve nga Gjermania. Është diskutuar edhe çështja e energjisë dhe iniciativës së kompanisë “Bilfinger” për “Kosova A”, por ka mbetur çështje e hapur që duhet të duhet të plotësohet nga aspekti i financimit”, theksoi Mustafa.

Dialogu me Serbinë ishte një tjetër çështje të cilës iu kushtua vëmendje gjatë vizitës në Gjermani dhe për çka kancelarja Merkel insistoi që të ketë progres.

Lidhur me këtë, Mustafa tha se temat për çfarë po punohet ende janë Asociacioni i Komunave Serbe, barrikada në lumin Ibër dhe energjia.

Top Channel