Greqia bën kërkesë tek ESM-ja, kërkon paketën e tretë të ndihmave

08/07/2015 00:00

Nëpërmjet ministrit të ri grek të Financave, Euclid Tsakalotos, Greqia ka dorëzuar orët e fundit një kërkesë për kredi të re ndihme tek Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM).

Në letrën drejtuar kreut të këtij organizmi, Klaus Regling, theksohet se deri të enjten më 9 korrik qeveria greke do të ketë dorëzuar edhe propozimet e saj për masat dhe reformat që kërkojnë huadhënësit në mënyrë që të mbyllet një marrëveshje midis të dypalëve.

Midis të tjerash, i jepet rëndësi të veçantë faktit që Greqia kërkon të mbetet pjesë e Eurozones, duke premtuar se do të vlerësojë detyrimet e saj ndaj kreditorëve.

Kërkesa është dorëzuar derisa kryeministri Tsipras fliste në Parlamentin Europian.

“Ne duam një program jetik, sepse duam të jemi në gjendje të kthejmë kreditë që kemi marrë. Edhe kur kërkojmë reduktim të borxhit, e kërkojmë sepse duam të jemi në gjendje të kthejmë këto borxhe dhe që të mos jemi të detyruar vazhdimisht të marrim kredi te reja për të paguar ato të vjetrat”, tha kryesminitri Tsipras.

Megjithëse në kërkësen e Greqisë nuk flitet tani për tani për shumën e kredisë se re, mediat e huaja vlerësojnë se ajo mund të jetë me afat trevjeçar dhe e një niveli nga 51 deri në 70 miliardë euro, ndërsa nëse do të ketë sukses, mund të shtyhet për disa vite të tjera.

Si kusht për të marrë menjëherë Athina rreth 7 miliardë euro që të shlyejë detyrimet deri në fund të këtij muaji, duhet që qeveria të pranojë reforma në sistemin e taksave dhe në reduktimin e pensioneve, theksojnë burime gazetareske.

Kërkesa do të duhet të vlerësohet më parë nga KE-ja dhe BQE-ja dhe mund të thirret për këshillim edhe FMN-ja. Ndërsa, lista me propozimet greke do të shqyrtohet nga Eurogrupi dhe nëse ajo do të miratohet nga ministrat e Finacave të Eurozonës, do të anulohet edhe Samiti i lartë i vendeve të BE-së paralajmëruar për ditën e diele.

Ndërkohë që opozita greke kritikon ashpër kryeministrin Tsipras se po e çon vendin jashtë Eurozonës, e madje edhe jashtë BE-së, pritet me ankth vendimi i BQE-së per likuiditetin e bankave greke.

“52% e artikujve më të domosdoshëm, 52% e produkteve ushqimore, 52 % e barnave janë të importuara. Prandaj problemi do të shumëfishohet në dy javët e ardhshme. Nëse ky izolim, ky kontroll kapitali nuk do të na lejojë të parapaguajmë në mënyrë që të blejmë mallrat e caktuar që importohen në Greqi, atëherë do të kemi mungesa”, u shpreh Vasilis Korikidis nga Konfederata e Tregtisë dhe Sipërmarrjeve.

Ndërkohë vazhdojnë radhët para bankomateve të bankave greke të cilat do të mbeten të mbyllura deri në fund të javës, ndërsa thuhet se deri atëherë nëse nuk do të ketë dritë jeshile nga BQE-ja, sasia e parave në to do të jetë ezauruar.

Top Channel