Itali, Berlusconi shpallet fajtor për korrupsion

08/07/2015 00:00

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi është shpallur fajtor për dhënie ryshfeti tek një senator në vitin 2006, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e atëhershme të qendrës së majtë.

Një gjykatë në Napoli e dënoi atë me 3 vjet burg dhe i ndaloi mbajtjen e një posti publik për të paktën 5 vjet. Nga ana e tij, 4 herë kryeministri i mohoi akuzat.

Atij nuk do t’i duhet të shlyejë dënimin për shkak të statutit të kufizimeve që hyn në fuqi më vonë gjatë vitit, para se ai të mund të bëjë ndonjë apel.

Miliarderi akuzohej se i kishte dhënë 3 milionë euro në vitin 2006 senatorit Sergio De Gregorio, atëherë anëtar i komisionit anti-korrupsion të partisë Italia e Vlerave, që të kalonte tek partia e liderit të së djathtës, Populli i Lirisë, dhe për rrjedhojë të minonte pushtetin e qeverisë Prodi.

Gjyqi u mbajt në Napoli, pasi pikërisht në këtë qytet De Gregorio ishte zgjedhur si deputet e më pas ishte bërë senator.

Ish-kryeministri i Italisë ndërkohë po apelon një tjetër vendim gjykate që e dënon atë me burg, për marrëdhënie seksuale me një prostitutë minorene, abuzim me anë të detyrës dhe për dhënie informacionesh mbi përgjimet e policisë.

Vitin e kaluar ai u shpall gjithashtu fajtor për evazion fiskal, që ishte dënimi i tij i parë përfundimtar, të cilin e shleu me punë në komunitet.

Top Channel