Bursa e Nju Jorkut ndërpret operacionet, shkak një problem teknik

08/07/2015 00:00

Bursa e Nju Jorkut, NYSE, ka njoftuar se operacionet e saj për vlerat e aksioneve u pezulluan për shkak të një defekti teknik dhe jo një ndërhyrjeje informatike pirate.

Autoritetet deklaruan se do të japin detaje sa më shpejt të jetë e mundur dhe shtuan se të gjitha urdhërat do të anulohen, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Treguesi i bursës Nasdaq nuk raportoi probleme teknike dhe menaxherët deklaruan se ajo vazhdoi shkëmbimin e aksioneve të vëna në listë nga NYSE.

Faqja e internetit e “Wall Street Journal” dhe kompania “United Airlines” raportuan gjithashtu probleme teknike, edhe pse autoritetet amerikane thanë se rastet nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën.

“Aktualisht po përballemi me një problem teknik dhe po punojmë që ta zgjidhim sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi një zëdhënës i NYSE.

“Do t’ju ofrojmë të dhëna të mëtejshme sapo të jetë e mundur. Po përpiqemi të arrijmë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të jemi transparentë, në mënyrë që tregjet të rihapen normalisht”, shtoi ai.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Barack Obama është informuar mbi situatën dhe Komisioni i Sigurisë së Bursave deklaroi se po monitoron gjendjen.

Tregjet amerikane ishin në rënie përpara se të ndaleshin operacionet, me problemet që filluan pas orës 11:30 me orën lokale, ndërkohë që edhe Kina pësoi një rënie drastike të aksioneve.

Top Channel