Vërtet duan të ndërtojnë pallate shumëkatëshe në hyrje të Parkut të Tiranës?

09/07/2015 00:00

Mustafa Nano – Zgjedhjet lokale të 21 qershorit u fituan qartazi nga mazhoranca. Dhe fitorja bëhet më domethënëse prej faktit që ajo erdhi pas zgjedhjeve më të mira që janë organizuar ndonjëherë këtyre anëve, s’ka gjë se do duhet edhe ca kohë që t’ia arrijmë ditës të bëjmë zgjedhje normale, si fjala vjen në Greqi, ku mjaftuan shtatë ditë, vetëm shtatë ditë, për të organizuar teknikisht në mënyrën më të suksesshme që mund të mendohet një referendum historik.

Partia Demokratike që, me sa duket po fiket tok me sundimtarin e saj marrok, tentoi të mbulonte diellin me shoshë, por mundimi u vajti dëm. Humbën në mënyrë katastrofale. Një nga leksionet që mund të nxirren në këtë mes është se shqiptarët, edhe pse korrupsioni është me flatra, edhe pse ekonomia është në vendnumëro, apo më keq se kaq, edhe pse kjo qeveri ka ndërmarrë disa nisma që në letër do duhej ta zbraznin thesin e tyre të votave, shqiptarët pra e shpërblyen me një mbështetje të pabesueshme. Ndoshta shqiptarët kanë gjetur një mënyrë për të përcjellë mesazhin se janë dakord me një numër nismash e ndërmarrjesh të kësaj mazhorance, s’ka gjë se efekti që prodhojnë këto nisma bie edhe mbi kryet e tyre (është fjala për delazaratizimin e vendit, për prishjen e shumë ndërtimeve pa leje, për dorën e fortë në mbledhjen e parave të faturave të energjisë elektrike, për fshirjen nga faqja e dheut të disa universiteteve të turpshme, për luftën ndaj paligjshmërisë në përgjithësi etj., etj). Ose ndoshta kanë gjetur një mënyrë për të shprehur kënaqësinë e tyre që janë ndarë njëherë e mirë prej kohëve të ndyra berishiane.

E bëra këtë hyrje për të nënvizuar faktin që kjo fitore, e ardhur në këto rrethana, shoqërohet me disa rreziqe. Dhe të gjitha rreziqet vijnë prej një vetëpëlqimi e arrogance që mund të lindë në radhët e kësaj mazhorance. I pari që mund ta bëjë të vetën këtë arrogancë mund të jetë Rama. Po të shtojmë dhe arrogancën që ky vetë e bart në mënyrë kongjenitale, situata mund të bëhet njëmend e frikshme. Pas këtyre zgjedhjeve, Kryeministri ynë s’e ka për gjë të mendojë (në fakt shumëkush do mund të binte në këtë kurth) se ai nuk është se është opsioni më i mirë, por është edhe opsioni i vetëm që kanë shqiptarët. Këtë gjë nuk është çudi ta ketë menduar qysh në kohët që ka qenë në opozitë (për shkak të vetëpëlqimit kongjenital pra), por atomote nuk të prishte shumë punë, nëse nuk ishe socialist. Ndërsa tani ndryshon puna, e kemi kryeministër.

Shkurt, këto zgjedhje mund ta bëjnë ta shohë veten si superman, mund ta bëjnë të mendojë se ai është mbreti Diell, dhe ashtu si mbreti Diell, Louis XIV, mund ta bëjnë të mendojë se “l’état, c’est moi”, mund ta bëjnë të mendojë, madje, se ai ka të drejtë të bëjë edhe punë të poshtra për të mirën publike. Punë të poshtra për të mirën publike? Ka kuptim kjo gjë? Po, ka, sepse e mira publike numër një është ai vetë në pozicionin e kryeministrit. Kështu funksionon, apo jo, kur një njeri me pushtet ia mbush mendjen vetes se është ai që e di që duhen mbjellë ca palma në autostradë (me që ra fjala, mua më pëlqejnë, por nuk më pëlqen fakti që idenë për palmat në autostradë duhet ta japë kryeministri), se është ai që e di se në mes të Korçës duhet ngritur një shul i gjatë prej betoni, se është ai që e di se te hyrja e Kryeministrisë duhet ndërtuar një tendë, se është ai që e di se dikush mund të kandidohet pa asnjë problem, për inat të të gjithëve, për kreun e ndonjë bashkie, s’ka gjë se kandidati është i rrethuar, më keq se prangat, nga një mjegull e fortë dyshimesh, se është ai që kreun e Bashkisë së Tiranës edhe mund ta zgjedhë, edhe mund ta fyejë, duke mos i zgjatur as dorën faqe botës, pasi është zgjedhur?

Me këtë arrogancë duhet lidhur vendimi i tij (që duket se është vetëm i tij) për t’i krijuar Tiranës një blanë betoni mu në pjesën më të bukur e më të virgjër të saj, rrotull korpusit universitar, të maskuar me idenë e një hyrjeje për në park. Personalisht, në ndryshim nga shumë “shpirtra të trazuar të këtyre ditëve”, ideja për një hyrje në park nuk do më skandalizonte shumë, nëse kjo ide do të ishte veç në këtë funksion e nëse kjo gjë do të bëhej e menduar mirë e mirë. E di që mendimet e mia lidhur me këtë çështje nuk kanë pikë rëndësie, dhe me të drejtë, ngaqë syri im është thjesht një sy diletant. Por me këtë sy, pa pasur asnjë pretendim se duhet të ma vënë veshin, po them se ca projekte të publikuara në shtyp nuk dukeshin keq. Puna është se ato projekte janë hi që na hidhet syve, edhe neve që jemi me “sy diletantë” (nuk kuptohet pse syri i kryeministrit qenka më pak diletant). E vërteta është se ka ca projekte të tjera, të cilat nuk janë publikuar akoma e të cilat përmbajnë dhe ca shumëkatësha ngjitur me atë që mund të vlerësohet si hyrje për në park, apo si urë lidhëse e pjesës urbane me pjesën e gjelbër. Këto projekte nuk janë hedhur për konsum publik, ngaqë nuk kanë dashur të na fusin spicat e protestës. Për konsum publik janë hedhur ca projekte të tjera në versionin minimalist, ngaqë kanë dashur ose të matnin pulsin tonë, ose të na përgatitnin avash-avash për batërdinë që është përgatitur.

Një gjë duhet ta kemi të qartë. Kryeministri është zgjedhur për të drejtuar vendin, e për rrjedhojë për të marrë vendime. Ne të tjerët nuk kemi ndonjë gjë në dorë, përveç zërit të protestës. Në fund fare, do të jetë ai pra që do ta marrë edhe këtë vendim. E askush nuk mund ta pengojë për ta bërë një gjë që e ka tagër për ta bërë. Ah po, mund ta pengojnë veç skrupujt e tij. Dhe shpresa ime në këtë pikë është se zëri ynë mund të jetë i tillë që mund të ndukë e tërheqë fijet e këtyre skrupujve. Ky kryeministër ka treguar se e çon që ç’ke me të në mendje zullumin, por edhe tërhiqet nën presionin e opinionit publik (ju kujtohet qëndrimi i tij pas protestës për armët kimike?). Ky është një ngushëllim jo i vogël për ne që jemi mësuar me atë robin që s’është më në krye, të cilit ishte mjaft t’i shkonte në mendje një gjë e ndyrë, e pastaj ishte turpi që nuk e linte të tërhiqej, turpi pra se po të tërhiqej, e merrnin për të dobët, të mundur, të zgërlaqur. Logjikë shpellarësh!

Shtyrja në kohë e vendimit lidhur me ndërtimet rrotull korpusit universitar është shenjë se ndoshta skrupujt kryeministrorë kanë filluar të funksionojnë. Apo më gënjen mendja? Edhe bën vaki. E gjitha mund të jetë edhe një hile, një gjest me synimin për ta topitur vëmendjen e opinionit publik deri në shtator, por kjo është një arsye gjithashtu që ne të jemi vigjilentë. Ne nuk duhet të lejojmë që pallatet shumëkatëshe të na prishin parkun e liqenit, të vetmin bukuri që s’ia kanë marrë ende kësaj Tirane.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel