Kuvend, Ruçi dhe Halimi debatojnë për reformën në drejtësi

09/07/2015 00:00

U duk sikur hyri në hullitë e bashkëpunimit, reforma në drejtësi pas njoftimit të PD-së për të thyer bojkotin disa mujor në të. Por demokratët kanë kërkuar jo vetëm të zënë vendet e mbetura bosh në këtë komision, por edhe barazi anëtarësh në të.

Sipas Eduart Halimit, kjo është pjesë e paktit që është arritur bashkë me ndërkombëtarët, por kjo u mohua nga Gramoz Ruçi.

“Në këtë seancë duhet të futet në rend dite edhe ndryshimi i vendimit përkatës të komisionit të posaçëm, në mënyrë që opozita të bëhet pjesë e atij komisioni dhe të vazhdojë procesi normalisht siç përcaktohet dhe në rregulloren e Kuvendit”, tha Eduard Halimi, deputet i PD-së.

“Ndryshimin e rregullave të lojës në fund të lojës nuk mund të bëhen. Së dyti, propozimi i bërë flet që kjo reformë të mos konkretizohet por të bllokohet, kështu që lidhur me ndryshimin e vendimit ne nuk jemi të gatshëm. Nëse është fjala për të plotësuar vendet vakant sipas vendimit në fuqi të Parlamentit, jemi plotësisht dakord të futen në axhendën e Parlamentit”, u shpreh Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar të PS-së.

“Çfarë bllokimi do t’i bëjë opozita në Parlament ligjeve që miratoni ju këtu? Çfarë bllokimi do t’i bëjë komisionit të ligjeve? Ndaj dhe kjo çështje është diskutuar me partnerët ndërkombëtarë, ata kanë qënë të bindur me këtë proces, kanë negociuar ndaj mos i përgënjeshtroni. Ose pyesni”, u përgjigj Halimi.

Propozimi i Kryeparlamentarit Meta për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve, për të shqyrtuar kërkesën e demokratëve ka gjetur të papërgatitur këta të fundit që nuk i dhanë një përgjigje ofertës së tij.

“Mund ta hedhim dhe në votim kërkesën tuaj për ndryshimin e rendit të ditës po nuk besoj se kjo është ndonjë zgjidhje për momentin. Kështu që them t’i lëmë vetes më shumë kohë për ta diskutuar këtë çështje”, tha kreu i Parlamentit, Ilir Meta.

Seanca është dominuar nga tema të ndryshme, por ra në sy prezenca e deputetit Tom Doshi pas disa kohësh mungesë. Ai u ul në vendin e tij të dikurshëm, në krahun e socialistëve pavarësisht se është përjashtuar nga ky grup. Ajo që është vënë re, ka qënë biseda e tij e tensionuar, këtë me Erjon Braçen, kryetarin e komisionit parlamentar të Ekonomisë.

Top Channel