Greqia, kërkesë për kredi të re. Zbulohet paketa e re e Tsiprasit

09/07/2015 00:00

Shtypi grek shkruan sot se Aleksis Tsipras po përgatit paketën e masave prej 12 miliardë eurosh për kreditorët dhe zbulon edhe ndonjë detaj të vogël nga propozimet e reja që shefi i ekzekutivit grek do të hedhë në tryezën e negociatave në Bruksel.

Ndër to, edhe një rritje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar si dhe një shtim të taksave mbi bizneset në 28% nga 26 % që u mendua fillimisht. E përditshmja “Kathimerini” e përshkruan vlerën e paketës 2-vjeçare të reformave si më të lartë nga sa parashikohej deri tani, një përpjekje serioze siç duket për të shmangur një tjetër zhytje në krizë të thellë pas muajsh të tërë diskutimi me kreditorët.

Gazeta ‘Naftemporiki’ hyn më në brendësi të propozimeve që përfshijnë sipas saj shtimin e TVSH-së mbi mallrat e luksit nga 10 në 13%, shtimin e TVSH-së mbi produktet ushqimore, restorantet, transportet e disa shërbime sanitare të ofruara nga sektori privat në nivelin 23%, nga 13 që ishte deri tani; edhe TVSH-ja për hotelet do të shkojë nga 6,5 në 13%.

Ishujt grekë ndërkohë duhet të vazhdojnë të përfitojnë favorizime fiskale të cilat huadhënësit ndërkombëtarë do të donin t’i shihnin të fshira.

E ndërsa të gjithë presin të mësojnë këto ditë se çfarë rrjedhe do të marrë situata e Greqisë, ekspertët duken të ndarë sa i takon pasojave që do të kishte dalja e saj nga eurozona.

Artikulli i fundit redaksional i gazetës “The Wall Street Journal” i bënte thirrje kancelares Angela Merkel dhe udhëheqësve të tjerë europianë të mos dorëzohen para thirrjeve për reduktimin e borxhit grek, edhe nëse pasojat afat-shkurtra do të jenë të rënda.

Artikulli e cilëson kërkesën e Greqisë për uljen e borxhit një “shantazh politik” dhe thotë se nëse Europa dorëzohet para presionit grek, mund të minohen ndryshimet ekonomike që janë të domosdoshme për Greqinë dhe vende të tjera. Ndërsa Stephanie Flanders e kompanisë JPMorgan parashikon që kriza do të trazojë tregjet europiane dhe mund të ketë ndikime afatgjata politike për të gjithë Europën.

Megjithatë, nëse politikanët marrin masa të vendosura për të frenuar përhapjen e problemit, shprehet ajo, ka shanse për të mos lejuar që kriza të pengojë rimëkëmbjen ekonomike të kontinentit.

Top Channel