SHBA, Donald Trump sulmon Hillary Clinton: Sekretarja më e keqe në histori

09/07/2015 00:00

Donald Trump e ka marrë me eufori fushatën për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Së fundmi, ai është hedhur në sulm edhe ndaj kandidates rivale demokrate, Hillary Clinton.

“Ajo fsheh shumë gjëra. Ajo ka qenë sekretarja më e keqe e Shtetit në histori”, ka deklaruar Trump, në një intervistë për CNN.

Ditën e mërkurës, Clinton kishte deklaruar se kishte mbetur “shumë e zhgënjyer” nga deklaratat e fundit të Donald Trump mbi emigrantët ilegalë, kryesisht ata meksikanë, të cilët i kishte quajtur “kriminelë, trafikantë dhe vrasës”.

Deklarata në fjalë e miliarderit vazhdon të krijojë polemika në Shtetet e Bashkuara, ku meksikanët përbëjnë komunitetin më të madh të emigrantëve, përfshirë ata ilegalë.

Më parë ai ka qenë një kritik i ashpër edhe i politikave të Presidentit Obama, ndaj të cilit vite më parë hapi një debat edhe për vendlindjen e shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë.

Trump, bashkë me ish-guvernatorin e Floridës Jeb Bush, kryesojnë në sondazhe listën e gjatë të kandidatëve republikanë për president të Amerikës.

Ata janë gjithashtu të vetmit kandidatë, të cilët kanë siguruar deri më tani një mbështetje dyshifrore mes republikanëve dhe elektoratit gri me prirje nga republikanët.

Top Channel