Sulm ajror me dron, vritet lideri i ISIS në Afganistan

09/07/2015 00:00

Lideri i Shtetit Islamik në Afganistan, një ish-zëdhënës i talebanëve pakistanezë, është vrarë në një sulm ajror me avion (dron) të komanduar në distancë.

Televizioni afgan TOLONews, që citon burime nga Drejtoria Kombëtare e Sigurisë, raporton se Shahidullah Shahid mbeti i vrarë në një sulm të kryer mbrëmjen e së mërkurës në provincën Nangarhar, në lindje të Afganistanit.

Vitin e kaluar, Shahid ishte shkarkuar nga posti i zëdhënësit të talebanëve pakistanezë, pasi kishte shpallur aleancën me grupin e Shtetit Islamik, që kontrollon territore të konsiderueshme në Siri dhe Irak.

Në atë kohë Shahidullah Shahid ishte një emër lufte, ndërsa identiteti i vërtetë i tij ishte Sheikh Maqbool. Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Khaama Press” raportoi të enjten se nga sulmi në provincën Nangarhar mbetën të vrarë edhe 25 militantë.

Ngjarja vjen dy ditë pasi rreth 60 rebelë, përfshirë Gul Zaman, numri dy i ISIS në Afganistan dhe zëvendësi i tij Jahanyar, mbetën të vrarë në sulme të ngjashme.

Top Channel