Kolumbi, rebelët e FARK shpallin armëpushim të njëanshëm

09/07/2015 00:00

Njësia guerrilase kolumbiane FARC ka njoftuar një armëpushim të njëanshëm për një muaj, në kuadër të negociatave që po zhvillon me përfaqësuesit e qeverisë kolumbiane në Havana të Kubës.

Armëpushimi do të hyjë në fuqi më 20 korrik dhe përputhet me kërkesën e vendeve garante të negociatave, për t’i dhënë fund në “mënyrë urgjente” valës së dhunës në vend.

Lajmin e ka bërë të ditur Ivan Marquez, përgjegjës i delegacionit të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë në bisedimet që po zhvillohen në Havana.

Vetë qeveria e ka mirëpritur këtë lëvizje, por nuk dha shenja për një veprim analog dhe deklaroi se rebelët duhet të bëjnë më shumë.

“Ne e vlerësojmë veprimin e armëpushimit të njëanshëm nga FARK, por duhet bërë më shumë. Sidomos duhen angazhime konkrete për të përshpejtuar procesin e negociatave”, deklaroi presidenti Juan Manuel Santos në një postim në Twitter.

Nga ana e tij, Marquez insistoi se armëpushimi do të krijojë kushte të favorshme në mënyrë që të avancohet bashkë me palën tjetër drejt një armëpushimi dypalësh dhe të përhershëm.

Katër vendet që po ndihmojnë në lehtësimin e procesit të bisedimeve, Kuba, Kili, Venezuela dhe Norvegjia, shpërndanë të martën një komunikatë për shtyp ku njoftohej reduktimi i akteve të dhunës mes guerrilasve të FARK dhe trupave të rregullta të qeverisë.

Top Channel