ILDKPKI, padi zyrtarëve për mosdeklarim pasurie; mes tyre edhe dy gjyqtarë

09/07/2015 00:00

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit kallëzoi 17 zyrtarë e nëpunës civilë, për dyshimet se ata kanë fshehur apo refuzuar deklarimin e pasurisë.

Mes listës së zyrtarëve të dorëzuar në organin qendror të akuzës, brenda kësaj të enjteje, ndodhen edhe emrat e dy gjyqtarëve, duke e çuar në këtë mënyrë në 10 numrin e gjyqtarëve të kallëzuar që dyshohen të kenë fshehur pasuritë.

Ndërkohë që pritet t’i nënshtrohen hetimit edhe zyrtarë të institucioneve të tjera, mes tyre dy drejtorë, që u përkasin Ministrisë së Brendshme e Ministrisë së Financave. Por, pjesa dërrmuese e të kallëzuarve janë inspektorë në Tatimeve, Doganave, si dhe regjistrues të pasurive të paluajtshme.

Zyra e shtypit e ILDKPKI-së njofton se, dy nga të kallëzuarit janë Adelina Zarka, gjyqtare në Gjykatën e Fierit, dhe Petraq Curi, gjyqtar në Gjykatën e Durrësit.

Ndërkohë, një ditë më parë u kallëzuan edhe 3 gjyqtarë të tjerë për të njëjtat dyshime, që janë Petrit Aliaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë; Rasim Doda, aktualisht nën arrest shtëpie për çështje korrupsioni; dhe bashkëshorten e tij, Enkelejda Kashuri, gjyqtare në Sarandë.

ILDKPKI njofton se, ndaj 17 zyrtarëve janë marrë edhe masa administrative.

Lista e plotë e zyrtarëve të kallëzuar nga ILDKPKI:

– Ilir Kurti, drejtor në Ministrinë e Brendshme;
– Anila Andoni Çili, drejtore në Ministrinë e Financave;
– Admirim Spahiu, inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve, Tiranë;
– Adelina Zarka, gjyqtare në Fier;
– Petraq Çuri, gjyqtar në Durrës;
– Andri Çota, regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Librazhd;
– Astrit Marku, përgjegjës sektori te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
– Aleksandër Paja, inspektor te Drejtoria Rajonale Tatimore, Fier;
– Armand Fida, doganier në Rinas;
– Ferdinant Kosti, regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Korçë;
– Erion Daçi, regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Mat;
– Artan Vokshi, doganier, Dega e Doganës Tiranë;
– Luan Harusha, kryetar i Komunës Rrethinat, Shkodër;
– Seit Hyseni, specialist te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
– Flamur Sala, kryetar i Komunës Drenovë, Korçë;
– Aleksandër Myrtaj, regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Fier;
– Oresti Vuçaj, regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Shkodër.

Top Channel