Summer Fest “ndez” Pogradecin

09/07/2015 00:00

Summer fest ka “ndezur” qytetin e Pogradecit me këngëtarët, aktorët dhe balerinët të cilët kanë performuar mbrëmjen e kaluar në sheshin “Odeon”.

Në këtë mbrëmje të nxehtë, me qindra qytetarë kanë ndjekur me entuziazëm për të disatin vit radhazi koncertin e mbushur plot surpriza, ndërsa kanë kënduar dhe kërcyer së bashku për orë të tëra.

Prezantueset Marina dhe Luana Vjollca janë shprehur entuziaste për këtë qytet, ku qytetarët janë grumbulluar disa orë përpara për ta ndjekur atë prej fillimit.

“Pogradeci është një nga qytetet e mia të preferuara. Publiku këtu të pret me dashurinë më të madhe”, tha Luana.

Pas performancës së tyre, artistët janë shprehur të emocionuar dhe të impresionuar nga publiku i cili ka kënduar dhe kërcyer së bashku me ta.

“Publiku i Pogradecit është shumë entuziazt. E prisja diçka të tillë e prandaj erdha me qejf”, tha Soni Malaj.

Summer Fest ka qenë në Pogradec për të disatin vit radhazi, ndërsa turi veror do ta ketë stacionin e tij të radhës në qytete të tjera brenda Shqipërisë dhe jashtë saj.

Top Channel