Prishtinë, gjithçka gati për pishinën e parë publike, atë të Gërmisë

09/07/2015 00:00

Në pishinën e Gërmisë në Prishtinë po bëhen përgatitjet e fundit, para se ajo të lëshohet për shfrytëzim nga qytetarët, të shtunën më 11 korrik.

Për të parë përfundimin e punëve në pishinë, të enjten doli për vizitë drejtoresha për Kulturën, Rininë dhe Sportin në Komunën e Prishtinës, Saranda Bogujevci. Ajo tha se, tashmë është gjithçka gati, duke bërë të ditura punët e kryera nga komuna.

“Janë disa pjesë teknike, që janë në punim e sipër. Gjithçka do të jetë gati për të shtunën. Përveç hapjes së pishinës për qytetarët, do të ketë edhe aktivitete të tjera sportive, kulturore. Gjithashtu kemi edhe skenën, që është vendosur për aktivitetet, që do të mbahen gjatë verës. Ndër ndryshimet që janë bërë brenda pishinës së Gërmisë; thellësia është ndryshuar nga 4.70 m në 1.80 m – në mënyrë që të parashikojë edhe sigurinë për qytetarët, – janë dhomat e zhveshjes, janë 4 pika dushesh për qytetarët; janë banjot e ndara për femra dhe meshkuj në të gjitha anët e pishinës”, u shpreh Saranda Bogujevci.

Shefi ekzekutiv, ushtrues detyre, i kompanisë publike “Sport Marketing”, që menaxhon pishinën, Emrush Hyseni tha se, pas gjithë këtyre punëve të kryera do të ofrohet një shërbim cilësor për vizitorët e pishinës.

“I kemi marrë të gjitha masat, janë vendosur të gjitha ekipet e punëtorëve, kemi bërë marrëveshje me ekipin e rojeve të shpëtimit, të sigurimit, me ekipin mjekësor, gjithashtu edhe me ekipin për pastrimin e ujit. Do të ofrojmë një shërbim cilësor për të gjithë qytetarët, sepse tashmë na është dhënë mundësia. Duke qenë se është ndryshuar thellësia e ujit, tani kemi mundësi të mbajmë edhe më shumë pastërti se më përpara”, tha Emrush Hyseni.

Kjo pishinë, e cila është e vetmja publike në Prishtinë, po hapet pas vitit 2013, kur edhe filloi rinovimi i saj. Përveç punëve, që janë kryer brenda pishinës, Komuna e Prishtinës ka përfunduar edhe parkingun jashtë saj, me kapacitet për rreth 100 makina.

Çmimet për pishinën e Gërmisë, që ka kapacitet për 4000-4500 vizitorë, do të jenë 2 euro për të rriturit dhe 1 euro për fëmijët. Ndërkohë, Komuna e Prishtinës është duke shqyrtuar mundësinë, që kjo pishinë të shfrytëzohet për patinazh gjatë sezonit të dimrit.

Top Channel