Pro dhe kundër Greqisë në BE; Gjermania skeptike, të tjerët mbështesin vazhdimin e ndihmës

09/07/2015 00:00

Udhëheqësit e Eurozonës janë kthyer në Bruksel për të diskutuar krizën e borxhit grek. Por cilat janë qëndrimet e aktorëve kryesorë të zonës së monedhës së përbashkët.

Më fort se kudo tjetër, thirrjet për nxjerrjen e Greqisë nga Eurozona kumbojnë në Gjermani. Kancelarja Angela Merkel është nën një presion gjithmonë e më të madh brenda kufijve për të hequr dorë nga mbështetja e Athinës. Nuk ka ende baza për negociata, – ishte deklarata e fundit e saj. Shteti helen pritet të kërkojë fonde emergjence nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit, megjithatë, Merkel është e palëkundur në pozicionin e saj se, pa reforma, “Athina nuk e merr dot atë që dëshiron”.

Qeveria socialiste e Francës, një aleate më e natyrshme e Syrizas së ekstremit të majtë, ka preferuar tone më pajtuese. Francois Hollande do, që Greqia të vazhdojë të qëndrojë në zonën e Euros, por edhe ai kërkon “propozime serioze e të besueshme”. Detyra e Athinës është të hedhë në tryezë oferta konkrete; detyra e Europës është të tregojë solidaritet, – ka qenë deklarata e shefit të Elizesë.

Ekzekutivi italian ka shumë mundësi t’i bashkohet Francës, në përpjekjet për kompromis. Ashtu si Greqia, edhe Italia vetë e ka shumë të lartë nivelin e borxhit publik dhe shihet si vend tepër i cënueshëm nga lëkundjet e “tërmetit”, që do të shkaktonte një “Grexit”. Fjala e fundit e Matteo Renzit, përpara takimit të Brukselit, ishte: Është në interesin e Athinës, që të mos largohet nga Eurozona. Besoj se do të bëjnë ç’është e mundur, për të arritur një marrëveshje, në mos menjëherë, mbase në orët në vazhdim.

Se cili është qëndrimi i Spanjës në këtë situatë, këtë e tregon qartë pohimi i ministrit të Ekonomisë, Luis de Guindos. Greqia është pjesë e Euros e këtë s’e mohon dot kush. Të gjithë duam, që ajo të vazhdojë të jetë pjesë e Eurozonës. Qeveria spanjolle është e hapur për negociata me Athinën. Komentet e De Guindos dëshmojnë mbështetje të qartë për Greqinë, por kryeministri Mariano Rajoy iu afrua më shumë linjës së krerëve të grupit, kur tha se, për të qëndruar në zonën e Euros, Athina duhet të ndërmarrë reforma serioze, në mënyrë që të shlyejë borxhet e saj.

Qiproja, bankat e mëdha të së cilës qenë në prag kolapsi në 2013-n, në mesin e ekspozimit të madh ndaj borxhit grek i mbështet thirrjet e Athinës për ristrukturim të borxhit.

Irlanda, që vuri edhe vetë në fuqi masa shtrënguese pas dorëzanisë, këmbëngul se askush nuk dëshiron të shohë një “Grexit” dhe përshëndet propozimet e reja të Alexis Tsipras, por me kushtin që “të kenë kuptim ekonomikisht”.

Udhëheqësit në Portugali i hedhin poshtë krahasimet me Greqinë, e i bëjnë thirrje Tsiprasit të dalë me propozime alternative për të qetësuar anëtarët e tjerë të Eurozonës.

Ndërkohë, një linjë mjaft të ashpër, kur vjen fjala te negociatat me Greqinë, kanë ndjekur Sllovakia dhe shtetet e Baltikut, të cilët argumentojnë se janë tepër të varfër, që të paguajnë për gabimet e Greqisë.

Top Channel