Kreditë nga jashtë rrezikojnë borxhin

09/07/2015 00:00

Ministria e Financave pranon se orientimi i huamarrjes në tregjet e huaja mund të rrisë rrezikun për borxhin publik dhe financat e vendit.

Në strategjinë për menaxhimin e borxhit, ekspertët e Ministrisë së Financave shkruajnë se rritja e detyrimeve të huaja e ekspozon borxhin publik përballë rrezikut që vjen nga kursi i këmbimit, por jo vetëm.

Veçanërisht tre vitet e fundit, qeveria ka zgjedhur ta orientojë huamarrjen në tregjet e huaja, kryesisht përmes kredive të buta nga FMN dhe Banka Botërore.

Si rezultat, borxhi i jashtëm publik i vendit është ngjitur nga 26.6 për qind e prodhimit kombëtar që ishte në vitin 2013, në 29.1 për qind në fund të vitit të kaluar.

Në tremujorin e parë shifra u rrit sërish në 29.5 për qind, ose, e konvertuar në vlerë, rreth 3.1 miliardë euro. Gjasat janë janë që deri në fund të vitit shifra të rritet edhe më shumë.

Kjo, pasi qeveria ka zgjedhur që edhe këtë vit të orientojë huamarrjen në tregjet e huaja. Sipas qeverisë, përveçse zgjat afatin e maturimit të borxhit, huamarrja nga jashtë i lejojn më shumë hapësira tregut të brendshëm që të financojë biznesin privat.

Por, kjo strategji nuk është pa risk. Siç pranon dhe vetë Ministria e Financave, veç kursit të këmbimit, rritja e ekspozimit ndaj borxhit në monedhë të huaj i bën detyrimet e shtetit më të rrezikuara ndaj faktorëve të jashtëm, duke ulur qëndrueshmërinë e borxhit publik të vendit.

Top Channel