Skandali në SHBA, Bush ishte paguar për të folur para veteranëve të luftës

09/07/2015 00:00

Ish-Presidenti i SHBA-ve, Geroge W. Bush është akuzuar të enjten se ka pranuar 100 mijë dollarë për të folur në një mbrëmje bamirësie për veteranët e luftës së Afganistanit dhe Irakut, në Houston, në vitin 2012.

Ngjarja që ka ndodhur kur Bush ishte ende në detyrë, bëhet edhe më e rëndë, pasi dyshohet se ish-Presidenti ka marrë në përdorim edhe një avion privat në vlerë prej 20 mijë dollarë.

Ndërkohë, edhe bashkëshortja e tij, ish-Zonja e Parë, Laura Bush është paguar 50 mijë dollarë për të folur në një mbrëmje të tillë, të organizuar po nga organizata “Helping a Hero”, një vit më parë.

“Të paguhesh për të grumbulluar para për njerëzit që kanë humbur pjesët e trupit në luftën që e nisi vetë ai…kjo nuk është aspak e drejtë”, ka deklaruar Eddie Wright, njëri nga veteranët dhe anëtarët e kësaj organizate.
 
Megjithatë, Robert Clark, njëri prej drejtuesve të organizatës “Helping a Hero”, ka thënë se prania e Bush kishte ndikuar që organizata të grumbullonte më shumë para atë vit.

“Atë natë ne kemi grumbulluar 2.5 milionë dollarë, ndërsa vitin pasardhës as 50% të kësaj shume. Prania e tij në atë mbrëmje u vlerësua nga të gjithë veteranët dhe mbështetesit e organizatës”, është shprehur Clark.

Duke cituar burimet e tyre, mediat amerikane kanë thënë se Bush fillimisht kishte kërkuar 250 mijë dollarë, por më pas kishte vendosur për 100 mijë.

Ndërkohë, zyrat e ish-Presidentëve Bill Clinton dhe Jimmy Carter kanë mohuar që këta të fundit jenë paguar ndonjëherë për të mbajtur fjalime në mbrëmje bamirësie për veteranët.

Top Channel