Kosovë, hartohet “Strategjia Kombëtare për Zhvillimin”

09/07/2015 00:00

Qeveria e Kosovës harton edhe një dokument strategjik, përmes të cilit synon të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Bëhet fjalë për “Strategjinë Kombëtare për Zhvillim”, për të cilën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa theksoi se, nuk do të jetë vetëm një dokument më shumë, por një udhërrëfyes – sipas tij, – shumë i qartë i prioriteteve, që do të realizohen në të ardhmen.

“Rritja ekonomike në vitet e ardhshme do të synohet të arrihet nëpërmjet renditjes së qartë dhe objektivit të prioriteteve, apo e thënë ndryshe të prioritetit të prioriteteve; përqendrimit në projekte dhe investime strategjike; rritjes së pjesëmarrjes në tregjet e jashtme; zhbllokimit të potencialeve dhe të aseteve financiare deri tani të pashfrytëzuara, siç janë pasuritë minerare, energjetike, pronat tokësore; por edhe fondet financiare, që momentalisht ndodhen jashtë përdorimit dhe jashtë shfrytëzimit ekonomik”, tha Mustafa.

Në takimin e parë për përgatitjen e kësaj strategjie, kryeministri Mustafa tha se Kosova, me gjithë rritjen ekonomike që ka pasur, ajo ka qenë e bazuar në sektorin publik dhe jo në atë privat të ekonomisë.

Sipas tij, qasja duhet të ndryshojë dhe zhvillimi duhet të konsistojë në rritjen e prodhimit vendas, konkurrencës dhe përmirësimit të bilancit tregtar.

Strategjia kombëtare për zhvillim përfshin periudhën 2016-2021 dhe – sipas qeverisë, – përfaqëson një qasje gjithëpërfshirëse në kontekstin e adresimit të sfidave më kritike të zhvillimit të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të saj përfshihet korniza ligjore, e cila mundëson tërheqjen e investimeve të huaja, në mënyrë që Kosova të bëhet një vend konkurrues në ofertën e saj për tërheqjen e këtyre investimeve.

Top Channel