Tusk sfidon Gjermaninë? Apelon për ristrukturim të borxhit, si pjesë e marrëveshjes me Greqinë

09/07/2015 00:00

Kreu i Bashkimit Europian u është bashkuar thirrjeve të ndërkombëtarëve, në mënyrë që Greqisë t’i ofrohet edhe një ristrukturim borxhi si pjesë e një marrëveshjeje të re huadhënieje, por me kushtin e vetëm nëse Athina ofron reforma bindëse për të shmangur falimentin së afërmi.

Thirrja e fundit konsiderohet si një sfidë indirekte ndaj Gjermanisë, huadhënësit më të madh të Athinës, që deri më sot ka përjashtuar çdo falje dhe ka mbajtur një qëndrim kufizues ndaj ristrukturimit të borxheve, në mënyrë që të ndihmohet Greqia ndaj shlyerjes së borxheve këtë vit.

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, i cili do të kryesojë samitin special të Eurogrupit gjatë së dielës, që do të përcaktojë fatin e Greqisë, shpreson që planet e ofruara nga të gjitha palët do të jenë konkrete dhe të realizueshme.

“Propozimet realiste nga Greqia duhet të përputhen me një propozim po aq realist mbi qëndrueshmërinë e borxhit nga huadhënësit. Vetëm atëherë do të mund të kemi një situatë me përfitime për të dyja palët”, tha ai. “Në të kundërt, do të vazhdojmë me këtë ecuri letargjike, siç kemi vepruar gjatë 5 muajve të fundit”.

Dështimi për të arritur një marrëveshje të dielën, përfshi edhe lëshimin e likuiditetit ndaj Athinës për të mbuluar shërbimet e shlyerjes së detyrimeve gjatë javëve të ardhshme, mund të çojë drejt një kolapsi të sistemit bankar të Greqisë, teksa ekonomia do të futet në rënie të lirë dhe me shumë mundësi do ta nxjerrë vendin nga Eurozona.

Nëse nuk do të ketë marrëveshje, udhëheqësit e bllokut 28-anëtarësh do të diskutojnë masat për të kufizuar dëmet nga kolapsi grek, përfshi ndihmat humanitare, kontrollet e mundshme kufitare dhe hapat për të zbutur ndikimin te vendet fqinje, bëjnë të ditur zyrtarë të BE-së.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se shkurtimi klasik i borxhit nuk është fare në diskutim. Ajo nuk përjashtoi forma të reja të lehtësimit të borxhit, si shtyrja e afatit të maturimit të huave, ulja e normave të interesit apo një moratorium edhe më të gjatë të pagesave të borxhit.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, dhe Sekretari amerikan i Thesarit, Jack Leë, bënë të ditur bashkërisht gjatë së mërkurës se ristrukturimi i borxhit duhet të jetë pjesë e një zgjidhjeje të mundshme në mënyrë që të mbahet Greqia brenda Eurozonës.

Lagarde theksoi se çdo lloj programi që do të paraqitet do të duhet të ecë “me të dyja këmbët” dhe jo duke çaluar. “Një këmbë i referohet reformave domethënëse dhe konsolidimit fiskal të vendit, ndërsa këmba tjetër nënkupton ristrukturimin e borxhit, që ne besojmë se është i nevojshëm në veçanti për rastin e Greqisë, në mënyrë që të garantohet qëndrueshmëria e borxhit”.

Sesa të pasigurta janë ditët e ardhshme, këtë u nënvizua kur Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, shprehu dyshime shumë të pazakonta në lidhje me mundësitë e shpëtimit të Greqisë.

E përditshmja italiane “Il Sole 24 Ore” citoi shefin e BQE-së, nën presion të madh nga Gjermania se po ndihmonte me likuiditet bankat greke, të ketë thënë se nuk është i sigurt nëse do të mund të gjehet një zgjidhje për Greqinë dhe se nuk beson Rusia do të mund ta shpëtojë Athinën. “Nuk e di, në këtë moment është vërtet e vështirë”, tha Draghi, i pyetur nëse mund të arrihet një marrëveshje për shpëtimin e Greqisë.

Top Channel