Kinë, bursa “ringjallet” pas ndërhyrjes së qeverisë

09/07/2015 00:00

Aksionet në bursat e Kinës u ringjitën në kuota maksimale këtë të enjte, pasi entet rregullatore qeveritare ndërhynë për të qetësuar situatën pas çrregullimeve të një dite më parë.

Kështu, treguesi i bursës së Shangait rekuperoi humbjet e mëhershme dhe arriti në kuotën 5.76 për qind, më e madhja që prej vitit 2009.

Analistët thonë se, një lëvizje për t’u ndaluar investitorëve të huaj shitjen e aksioneve mund të ketë ndihmuar në mbështetjen e tregut.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Xinhua” deklaroi se policia po heton disa “shitje dashakeqe” në tregun financiar të vendit.

Media e kontrolluar nga shteti njoftoi se autoritetet do të godasin ato operacione që u kryen në shkelje me ligjin dhe rregullat tregëtare e që çuan sipas tyre në cënimin e tregut.

Në fund të seancës, treguesi në bursën e Shangait u rrit me 202.14 pikë në nivelin 3.709.33, duke u shkarkuar nga presionet.

Enti rregullator i tregut në Kinë ka prezantuar një seri rregullash të reja javën e kaluar, në përpjekje për të lehtësuar presionin ndaj aksioneve kineze.

Kjo, pasi treguesi ra me mbi 30 për qind në mes të qershorit. Ditën e mërkurë, treguesi ra me të paktën 8.2 për qind, duke çuar disa analistë ta përshkruanin situatën si “e mërkura e zezë”.

Në përpjekjet e fundit për të stabilizuar tregun, Pekini ka lehtësuar rregullat e huamarrjes, duke u mundësuar qytetarëve marrjen e huave për investime, me shpresën se do të blejnë më shumë aksione.

Top Channel