Kosovë, Qeveria rishikon buxhetin e 2015-s. Kritika nga opozita

09/07/2015 00:00

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës janë ballafaquar me kritikat e opozitës, në seancën plenare të së enjtes, ku u shqyrtua projektligji për rishikimin e buxhetit për pjesën e mbetur të vitit 2015.

Kryeministri Isa Mustafa mori kritika nga deputetë të opozitës, për mosmbajtje të premtimeve për punësimin e qytetarëve, por ai tha se nuk mund t’i hapë 100 mijë vende pune menjëherë.

“Ne kemi bërë përpjekje për disa ndryshime dhe plotësime të buxhetit, të cilat do t’i përshtaten nevojave aktuale që kemi ne. Mund të kemi vërejtje, sepse nuk mund të japim as sot dhe as nesër përgjigje për të gjitha synimet tona të programit qeverisës, apo përse nuk kemi arritur t’i punësojmë deri më tani 100 a 150 mijë persona. Po ju them sot se, nuk do të arrijmë 100 mijë as deri në fund të vitit, e as deri në fund të vitit të ardhshëm, sepse të punësosh 100 mijë vetë duhet të krijosh fillimisht 100 mijë vende të reja pune. Askush nuk ka thënë se, 100 mijë vende pune hapen në fillim të mandatit, veçse me magji”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Ideja e qeverisë për të hyrë në marrëveshje të reja me Fondin Ndërkombëtar, që mundësojnë kredi për qeverinë, po ashtu ngjalli reagime, duke u cilësuar si veprim për mbulimin e deficiteve, e jo për zhvillimin ekonomik.

“Ajo që mund të kuptohet është se, programi me FMN-në është për të mbuluar deficitet elektorale të koalicionit qeverisës. Duhet të jetë kontrollori i Financave të shtetit, që të pamundësojë zhytjen e kësaj qeverie të papërgjegjshme në deficite të papërballueshme fiskale. Pra, është program për mbulimin e gropave fiskale dhe për të disiplinuar një menaxher të papërgjegjshëm, siç është Ministria e Financave apo qeveria e Kosovës në tërësi”, tha Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti sqaroi se, asnjë vend nuk ka mundur të zhvillohet pa marrë kredi ndërkombëtare. Ai shtoi se, kredia ndërkombëtare do të përdoret vetëm për projekte kapitale, të cilat qeveria, edhe nëse nuk do ta merrte, do të duhej t’i bënte dalëngadalë.

“Pavarësisht nëse do të ishim apo jo në program me FMN-në, këto gjëra do t’i kishim zhvilluar, por kjo do të na ndihmojë të respektojmë afatet kohore dhe të na mundësohet qasja në kredi ndërkombëtare. Asnjë vend nuk mund të zhvillohet me hapa më të shpejtë, duke u bazuar vetëm në burimet vetjake”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave, Kosovë.

Para shqyrtimit të buxhetit, Kuvendi i Kosovës ka nderuar me një minutë heshtje viktimat e masakrës së Srebrenicës, të vrarë nga ushtria dhe policia serbe 20 vite më parë.

Top Channel