Etapa e 6 e Turit, bien Nibali e Martin; triumfon Stybar

09/07/2015 00:00

Zdenek Stybar është shpallur fitues i etapës së gjashtë të Turit të Francës – nga Abbeville deri në Le Havre, e gjatë 191,5 km – falë një sulmi të ndërmarrë në 500 metrat e fundit. Megjithatë, fituesi nuk përbën lajmin e ditës.

Në kilometrin e fundit, teksa ishin duke ngjitur të përpjetën, Tony Martin dhe Vincenzo Nibali janë përfshirë në një moment dramatik, duke u rrëzuar. Ai që mbante fanelën e verdhë (gjermani) garonte nga pjesa e majtë e korsisë dhe ka devijuar shumë shpejt djathtas. Papritur ka prekur një mbrojtëse anësore në “Giant Alpecin”, e cila është bërë shkak edhe për rrëzimin e italianit Nibali.

Siçiliani i Astanas, skuadrës kazake, është rinisur dhe ka arritur të përfundojë etapën, por një situatë edhe më e rëndë u paraqit ajo e gjermanit të “Etixx Quick Step”, që ka dëmtuar shpatullën e majtë. Ai ka ndierë një dhimbje të fortë, është ngjitur në biçikletë me mundim, e gjithsesi kaloi vijën e “finish”-it së bashku me Kwiatkowski dhe Vermote. Martin mbetet kryesues i Turit, i ndjekur nga britaniku Chris Froome.

Gjatë kësaj kohe kanë qenë 3 kryesues të garës: Quemeneur, Van Bilsen dhe Teklehaimanot. Arritën të siguronin edhe një avantazh prej 12 minutash e 20 sekondash nga grupi ndjekës, por çiklisti nga Eritrea arriti t’i kapte dhe siguroi fanelën me pika, që vishet nga “mbreti” i terreneve malore.

Ndërkaq, të premten e 10 korrikut do të zhvillohet edhe etapa e 7 e Turit të Francës, nga Livarot deri në Fougeres, e gjatë 190,5 km, një etapë thuajse e njëtrajtshme në zonat e ulta të Normandisë, me përjashtim të një maloreje të kategorisë së katërt në kilometrin e 12,5 nga starti. Gjithçka do të fillojë më 12:50 pas mesdite, ndërsa vija e “finish”-it konsiderohet si idealja për çiklistët.

Top Channel