Publikohen videot e ballafaqimit Doshi-Bami në Prokurori

09/07/2015 00:00

Publikohen videot e ballafaqimit mes deputetit Tom Doshi dhe të pandehurit Durim Bami, të realizuara në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, gjatë valës së hetimeve për të zbardhur pretendimet e deputetit, se ndaj tij ishte thurur një komplot për ta eliminuar.

Në videon e parë shfaqet ballafaqimi Doshi-Bami nëpërmjet dy kamerave, njëra e vendosur në zyrën e prokurorit dhe tjetra në trupin e Doshit. Durim Bami, më së shumti shfaqet duke u shprehur me gjestikulacione e fraza të shkurtra, ndërkohë që biseda mes dy burrave zhvillohet me pyetje rreth familjes së Durimit, i cili në këtë pikë shpërthen në të qara.

Në një tjetër çast, Doshi e informon dhe i tregon Durim Bamit se janë pyetur që të gjithë, edhe Toni i Kombinatit. Doshi dhe Bami bisedojnë për ngjarjen, për të cilën janë akuzuar. Në video flitet edhe për njohjen me Mark Frrokun, për të cilin Durim Bami shprehet mohues.

Por kjo deklaratë e tij, në fakt, është hedhur poshtë nga prokurorët, pasi nga verifikimet e mëparshme rezultoi se Durim Bami kishte njohje të vjetër me Frrokun, kjo sepse në 2014-n ai është ndaluar nga Policia e Durrësit me një automjet, që i përkiste deputetit Frroku. Deputeti Tom Doshi i sugjeron Bamit spitalin, në mënyrë që të kujdeset, por Bami refuzon duke nënkuptuar se atje rrezikohej.

Video tjetër shfaq përballë Durim Bamin dhe vëllain e tij, Valter Bamin, ku i pandehuri e njofton me gjeste që të mos flasë, për shkak se ambienti është i mbikëqyrur nga kamerat.

Nën gjykim për prodhim të rremë të fakteve në Prokurori, në Gjykatën e Lartë do të gjykohet deputetët Mark Frroku e Tom Doshi, si dhe i pandehuri Durim Bami. Shorti ka përcaktuar si relator të dosjes gjyqtarin Ardian Nuni.

Top Channel