S’ka marrëveshje me Iranin, Kerry: S’do negociojmë gjithë jetën

09/07/2015 00:00

Negociatat për programin bërthamor të Iranit, mes këtij shteti dhe fuqive të mëdha që udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk po japin rezultat.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ende nuk ka një marrëveshje, pasi palët nuk kanë rënë dakord për disa pika.

“Ende nuk kemi një marrëveshje përfundimtare. Ka ende disa pika për të cilat nuk pajtohemi, prandaj duhet të vazhdojmë të bisedojmë për të tejkaluar këto pengesa në mënyrë që të arrihet marrëveshja”, është shprehur Josh Earnest, zyrtar për informim në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, Sekretari i Shtetit, John Kerry tha se është optimist për arritjen e një marrëveshje, pasi ka progres në bisedime, por gjithashtu ka tërhequr vëmendjen se nuk e kanë ndërmend të negociojnë gjithë jetën.

“Ne jemi këtu sepse besojmë se jemi duke bërë një progres real. Nuk duam të nxitohemi dhe nuk duam të detyrojmë dikë që të nxitohet, por nuk do të qëndrojmë në këtë tryezë përgjithmonë”, është shprehur Kerry.

Top Channel