Tony Martin detyrohet të braktisë Turin; Froome rivesh fanelën e verdhë

09/07/2015 00:00

Tony Martin mezi e përfundoi garën çiklistike në etapën e 6 të Turit të Francës, të zhvilluar këtë të enjte me fund në Le Havre, për shkak të një rrëzimi dhe dëmtimi të klavikulës, që shënon kështu edhe fundin e këtij edicioni për çiklistin gjerman.

Specialisti i garave kronometrike, i mbiquajtur edhe “autoblindi”, u përfshi në një konfrontim fizik me një tjetër çiklist, duke shkaktuar më pas edhe rrëzimin e disa të tjerëve, teksa ishin më pak se 1 km nga fundi i etapës së 6.

Ishte shoku i tij i skuadrës “Etixx Quick Step”, çeku Zenek Stybar, ai që mundi të fitonte këtë etapë prej 191,5 km nga Abbeville, por ky sukses duket se është errësuar në fund prej lajmit të keq.

Udhëheqësi i përgjithshëm i deritanishëm i këtij Turi, Tony Martin, garoi në metrat e fundit duke mbajtur dorën te shpatulla e tij e dëmtuar, gjë që frikësoi drejtuesit e ekipit në lidhje me pamundësinë e të garuarit më tej për të. Një frikë që duket se tashmë ka rezultuar fatkeqe, pasi, edhe pse arriti ta përfundonte etapën e 6 i shtyrë nga shokët e tij të skuadrës, mësohet se Martin ka thyer klavikulën.

Gjithsesi, duke qenë se gjermani është detyruar të tërhiqet, britaniku Chris Froome është riveshur me “të verdhën”, ndërkohë që Mark Cavendish ka humbur kështu një prej çiklistëve të tij më të mirë mbështetës, sa i përket përpjekjeve të tij për të fituar një etapë të këtij edicioni.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel