Rama: Ja si e transformuam katin e parë të kryeministrisë

10/07/2015 00:00

Përmes një videoje të publikuar në profilin e tij në Facebook kryeministri Edi Rama rrëfen transformimin e katit të parë të kryeministrisë në një ambient që do të jetë i publikut.

 I quajtur COD (Centre for Openess and Dialogue) ky mjedis do t’i shërbejë tashmë edhe artistëve, botuesve, studentëve e nxënësve, si dhe “atyre që duan të ballafaqojnë hapur me qeverinë argumentet e protestave të tyre kundër qeverisë”.

“COD (Center for Openess and Dialogue) është mjedisi i transformuar i katit të parë të kryeministrisë, nga një korridor i errët me zyra të mbytura nga lagështia ku dergjeshin materialet arkivore të qeverisë, bashkë me rraqe gjithëfarë mes pluhurit e pisllëkut shumëvjeçar, në një hapësirë që do të jete edhe e publikut, artistëve, botuesve, studiuesve, studentëve e nxënësve, si dhe atyre që duan të ballafaqojnë hapur me qeverinë argumentat e protestave të tyre kundër qeverisë.

Jeta e COD që do të vijojë gjatë gjithë ditëve të javës duke nisur nga fillimi i vjeshtës, ka nisur me kontributet bujare të tre artistëve të mëdhenj ndërkombëtarë, Philipe Parreno, Karsten Holler, Thomas Demand, si edhe me vizitën historike të kancelares Angela Merkel. E cila e çmoi si inovacion mbresëlënës kthimin e katit të parë të godinës së qeverisë në një mjedis dialogu e komunikimi me publikun përmes larmisë së formave të komunikimit.

Bashkëngjitur mund të shihni të përmbledhur në pak çaste transformimin rrënjësor të një mjedisi të degraduar prej vitesh të tëra, në një hapësirë komunikimesh e ndërveprimesh të larmishme mes politikes, artit, kulturës, qytetit dhe botës”, shkruan në Facebook kryeministri Rama.

Top Channel