Shqipëria kalon në vend të dytë të grupit I

10/07/2015 00:00

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për t’i dhënë fitoren në tavolinë Shqipërisë për sfidën me Serbinë, e luajtur më 14 tetor në Beograd, praktikisht i ka siguruar kombëtares sonë kualikimin në fazën “play-off”, por me situatën e re të krijuar në Grupin I eliminator, ambiciet e Shqipërisë janë për kualifikim direkt në finalet e “Francë 2016″ si e para, por pse jo edhe si e dyta e grupit.

Para këtij vendimi, Shqipëria renditej në vendin tretë në kuotën e 7 pikëve, me 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje dhe me një golaverazh të përgjithshëm 4-5, ndërsa me trepikëshin e Lozanës kuqezinjtë shkojnë në kuotën e 10 pikëve, duke barazuar Danimarkën. Golaverazhi pozitiv me 7 gola të shënuar dhe 2 të pësuar e ngjit Shqërinë në vendin e dytë sepse danezët kanë një golaverazh më të dobët.

Më 3 shtator, Shqipëria do të luajë në transfertë pikërisht me Danimarkën, sfidë që mund të rezultojë vendimare për kualifikimin direkt të kuqezinjve. Formacioni i De Biasit mund të luajë edhe për barazim në Danimarkë, duke shpresuar në një tjetër rezultat pozitiv në “Elbasan Arena” më 7 shtator ndaj Portugalisë, të cilën Shqipëria e mposhti 1-0 në transfertë në takimim e parë të këtyre eliminatoreve.

Më 8 tetor kuqezinjtë do të presin Serbinë, ndërsa në takimin përmbyllës më 11 tetor do të luajnë në transfertë me Armeninë.

Dy ndeshjet e radhës përballë kundërshtarëve direktë si Danimarka dhe Portugalia, do të vendosin fatin e Shqipërisë në këtë grup, ku kuqezinjtë janë pranë një kualfikimi historik.

Top Channel