Mediat amerikane fajësojnë Merkel për dështimin e Greqisë

10/07/2015 00:00

Dështimi i Greqisë është edhe dështim i Merkelit. Me votën “jo” në referendumin e së dielës, që për më tepër pati edhe diferencë të thellë me “po”-në, Greqia shkruan Clive Crook për Bloomberg, fitoi një moment ngazëllimi, edhe pse pasojat mund t’i vuajë për vite me radhë.

Ishte vetëm një prej shumë keqllogaritjeve absurde të grekëve. Aleksis Tsipras nuk ka qënë plotësisht i sinqertë me votuesit e i ka mbajtur në errësirë kur vjen fjala tek kostoja e veprimeve të tij. Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Angela Merkel, shprehet Crook.

Për muaj të tërë, kancelarja nuk e ka shpjeguar qartë përse shmangia e një falimentimi të Greqisë ishte në interesin e taksapaguesve gjermanë. E kohët e fundit, jo vetëm i ka anashkaluar këto shpjegime, por edhe i ka çorientuar me informacionet mbi atë çfarë është realisht në lojë.

Gjermanët sot nuk do t’i shkurtojnë humbjet e tyre duke e lënë Athinën të falimentojë. Gjermanët, shkruan Crook, do t’i reduktojnë humbjet duke marrë prej Greqisë sa më shumë që të munden. E të një linje të tillë të ashpër ndaj kancelares gjermane shfaqën edhe të tjera media amerikane. “A po e bën Merkeli Greqinë një shtet të flakur tej?” pyet  “Newsweek”.

Humbësi i madh në këtë situatë ka për të qënë Gjermania vetë, e jo Greqia, thote CNBC. “Pushteti gjerman polarizon Europën” ishte titulli i një artikulli fshikullues të prestigjozes “Wall Street Journal” tre ditë më parë, që citonte dhe një fjali të kritikut të politikave të kursimit, spanjollit Pablo Iglesias.

Ne, pati thënë ai, nuk duam të jemi koloni e Gjermanisë. Komenti i kolumnistit të majtë të New York Times, Paul Krugman, përshkohet që nga titulli prej tonesh dramatike. Shkrimi i tij nis me fjalët: “Të ndalosh hemoragjinë greke”. Krugman e krahason Merkelin dhe lidere të tjerë europianë me mjekët e kohës së mesjetës që pacientit për shërim i merrnin gjak. Vetëm se në vend të shërimit të të sëmurit grek, ajo që vijon është kriza.

Top Channel