Rusia, rreziku kryesor për SHBA-në. Komandanti i marinsave: Qëndrimi, alarmues

10/07/2015 00:00

E kanë përmendur edhe të tjerë zyrtarë amerikanë, por këtë herë ishte Komandanti i Korpusit të Marinsave ai që deklaroi hapur se Rusia përbën rrezikun më të madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe se qëndrimi i saj është “jashtëzakonisht alarmues”.

Gjenerali Joseph Dunford, i emëruari për postin e Shefit të Shtatmadhorisë foli në seancën e Senatit për konfirmimin e tij, pasi u pyet se cilin konsideronte si shqetësimin më të madh të momentit për sigurinë e vendit.

“Vlerësimi im sot senator, është se Rusia përbën kërcënimin më të madh ndaj sigurisë tonë kombëtare. Rusia është fuqi bërthamore. Tek ajo gjejmë një vend që nuk ka vetëm kapacitetin të shkelë sovranitetin e aleatëve e të bëjë veprime që bien ndesh me interesat tona kombëtare, por që edhe në proces duke i bërë aktualisht. Ndaj nëse doni të flasim për një komb që mund të paraqesë një kërcënim ekzistencial për SHBA-në, unë do ta drejtoja gishtin nga Rusia. Nëse i hidhni një vështrim veprimeve të saj, do ta shikoni se janë absolutisht alarmuese”, ka thënë Dunford.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit kanë rënë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë pasi Rusia aneksoi vitin e kaluar gadishullin ukrainas te Krimesë. Nëse konfirmohet kandidatura e tij, gjenerali Dunford do të zëvendësonte në këtë post Martin Dempsey-n që pritet të lërë detyrën në shtator pas një periudhe të vështirë prej katër vjetësh, gjatë të cilave shumica e trupave amerikane u tërhoqën nga Afganistani, por mijëra u kthyen në Irak.

Pikërisht në fushebetejat e këtij të fundit, ku qe një nga drejtuesit ushtarakë gjatë pushtimit të vitit 2003, Dunford ka fituar dhe nofken “Joe luftaraku”. Ai njihet si një lider i qetë dhe i matur që krijon kushte për sukses në sajë të një planifikimi të kujdesshëm të veprimeve dhe një zbatimi harmonik.

Top Channel