Koncert barok në Vlorë. Interpretimi me instrumente origjinale

10/07/2015 00:00

Në ambientet rezidenciale te Petroliferës mbremjën e së enjtes është zhvilluar Festivali i Muzikës së Vjetër “Vox Baroque”.

Ky është festivali i parë në Shqipëri i cili i kushtohet tërësisht kësaj lloj muzike. Synimi i këtij festivali është që të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente orgjinale, duke respektuar stilin dhe mënyrat e interpretimit të shumë kohë më parë.

“Ky është një rrjet që është bërë në Gjirokastër, në Berat dhe në vende ku spikat kultura shqiptare dhe vetë sfondi është pjesë e koncertit. Jemi në ambientin e Petroliferës, në pjesën rezidenciale, në të cilën janë mbajtur edhe më parë aktivitete kulturore”, është shprehur Artan Shabani, drejtor i Galerisë së Arteve.

“Është një aktivitet, nga ato të veçantët që të bëjnë të ndihesh mirë, të organizuar shumë bukur, me muzikë të zgjedhur, me instrumenta që flasin për një epokë tjetër, por që rigjallërohen në një epokë të re si kjo e jona, duke dhënë një mesazh shprese se gjërat e mira mund të ndodhin”, deklaroi kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

“Ky është festivali i dytë i ‘Vox Baroque’ dhe ka si motiv kryesor shprehjen e muzikës baroke, me grupet baroke dhe me vegla antike baroke”, tha instrumentisti, Perikli Pite.
 
Në këtë event kanë marrë pjesë shumë artdashës vlonjatë, si dhe personalitete të ndryshme si nga arti, po ashtu edhe nga politika.

Top Channel