Qeveria nxjerr në shitje kompaninë publike INSIG

10/07/2015 00:00

Kompania publike e sigurimeve, INSIG do të privatizohet përmes një tenderi të hapur. Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, sipas të cilit shoqëria financiare do të shitet në masën 100 për qind.

Një vendim i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar edhe kriteret e vlerësimit të ofertave. Sipas formulës, peshën më të madhe të pikëve, prej 80 për qind, do ta ketë çmimi i ofruar, ndërsa plani i biznesit dhe cilësia e blerësit do të kenë respektivisht nga 10 pikë.

Paralelisht, çdo ofertues duhet të garantojë ofertën e tij me një depozitë fikse prej 30 milionë lekësh. Sipas vendimit, kushtet e kontratës që do të lidhet me shoqërinë fituese duhet të marrin miratimin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

INSIG është një ndër kompanitë e pakta që kanë mbetur ende me pronësi publike. Për pesëmujorin e parë të vitit, kompania realizoi një xhiro prej 293 milionë lekësh, duke zënë 6.14 për qind në tregun e sigurimeve, peshë kjo e cila ka ardhur në rënie nga viti në vit.

Gjithësesi, edhe pse pesha e kompanisë është tkurrur, të ardhurat e saj janë rritur me 14 për qind për shkak të rritjes së çmimeve për siguracionet e detyrueshme të automjeteve. Në të kaluarën, qeveria shqiptare ka tentuar disa herë ta shesë kompaninë, por ka dështuar.

Ndërkaq, gjatë kësaj kohe kompania është përfolur dhe madje hetuar nga Autoriteti i Konkurrencës si e përfshirë në marrëveshje kartel me shoqëritë private të tregut, për të fiksuar çmimet e siguracioneve të makinave.

Top Channel