Korrupsioni në drejtësi, KLD pezullon dy gjyqtarë

10/07/2015 00:00

Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi nga detyra dy gjyqtarët e arrestuar së fundmi për çështje korrupsioni, vendim i cili do të qëndrojë në fuqi derisa drejtësia të shprehet në formë të prerë për fajësinë apo pafajësinë e tyre.

Siç njofton zyra e shtypit e KLD, në mbledhjen e radhës anëtarët e këtij këshilli votuan unanimisht për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Rasim Doda dhe gjyqtares së Lezhës, Parashqevi Ademi, që të dy nën hetim si të implikuar në afera korrupsioni.

Gjyqtari i gjykatës së Sarandës u prangos pas dyshimeve të prokurorisë se kishte kërkuar gati 80 mijë euro në këmbim të dhënies së një vendimi, vendim që siç thotë organi i akuzës i ishte treguar njërës prej palëve.

Por ndërsa pala nuk ka rënë dakord për shumën e kërkuar, atëherë, po sipas prokurorisë, gjyqtari Doda e ka ndyrshuar verdiktin në favor të palës kundërshtare.

Shkalla e parë për Krimet e Rënda dha gjatë qershorit masën “arrest me burg” për gjyqtarin, ndërkohë që Apeli e ndryshoi duke e zbutur në arrest shtëpiak.

Ndërsa gjyqtarja Parashqevi Ademi u arrestua në flagrancë në çastin kur po ndante lekët me një avokat, shumë që i ishte kërkuar një të akuzuari nën gjykim. Aktualisht gjyqtarja Ademi është nën masën “arrest me burg”.

Top Channel