Trafiku në fundjavë, ja çfarë këshillon policia

10/07/2015 00:00

Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave për fundjavën, për të shmangur trafikun që krijohet nga dyndja e njerëzve drejt plazheve.

Policia sugjeron që, për të shmangur trafikun, të përdoret edhe aksi rrugor Tiranë-Ndroq-Durrës, ndërsa drejtuesit e mjeteve që vijnë nga zonat e veriut të përdorin aksin Fushë-Krujë-Kamëz-Tiranë ose anasjelltas.

Gjithashtu, personave që duhet të lëvizin gjatë zonave të banimit apo industriale që shtrihen në autostradën Vorë-Tiranë u sugjerohet të përdorin rrugët dytësore anash autostradës.

Qarkullimi do të ndalohet në rrugët publike për mjetet e rënda; në fundjavë nga ora 09.00 deri në orën 14.00 të ditës së shtunë dhe nga ora 12.00 deri në orën 24.00 të ditës së diel.

Në këto kufizime përfshihene dhe mjetet e transportit te mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7500 kg, me ngarkesë të pandashme, me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m, mjetet rrugore apo bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/h, mjetet bujqësore dhe teknologjike që kalojnë përmasat kufitare sipas nenit 61 të Kodit Rrugor, për kursantët e autoshkollave mësimore.

Përjashtim do të kenë automjetet e shoqërimit, ato të Forcave të Armatosura, të televizioneve, çisternave të ujit të pijshëm, mjetet që transportojnë materiale ose paisje për përdorim në situata të jashtëzakonshme, kamionë që transportojnë ushqime, dhe bagëti dhe shpendë.

Top Channel