Dijsselbloem: Plani i Athinës, tërësor. Marrëveshja të shtunën?

10/07/2015 00:00

Propozimet e prezantuara nga Athina natën që kaloi janë “tërësore”, por duhet të vlerësohen në bazë të faktueshmërisë së tyre.

Ky ka qenë reagimi i parë i presidentit të Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, i cili ka shtuar se, “tani, bashkë me Komisionin, BQE-në dhe FMN-në do të bëhen llogaritë dhe do të shohim nëse hesapet përputhen”.

Pra, marrëveshja për Greqinë mund të vijë nga Eurogrupi që të shtunën dhe jo nga samiti i së dielës i BE-së.

Megjithatë, zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert ka saktësuar se, samiti i së dielës do të jetë sërish i nevojshëm, edhe nëse marrëveshja mund të arrihet që nesër.

Plani i Greqisë, prej 12 miliardë eurosh, nga 8 që kërkohej fillimisht, parashikon:

1. Heqjen e uljes së taksave për ishujt turistikë brenda vitit 2016.

2. Rritje të taksave në 23 për qind për restorantet dhe 13 për qind për hotelet.

3. Shkurtim me 300 milionë euro të shpenzimeve ushtarake brenda vitit 2016.

4. Rritjen e taksave për prodhuesit e armëve dhe sipërmarrjet e mëdha nga 26 në 28 për qind.

5. Rritjen e taksës mbi të objektet e luksit nga 10 në 13 për qind.

6. Rritjen e kontributit të solidaritetit mbi të ardhurat dhe, nëse do të jetë e nevojshme, të taksës mbi pasuritë e patundshme pas rishikimit kadastral.

7. Heqje të kontributit të solidariteti për pensionistët brenda vitit 2019.

Shkurtimet në sistemin e pensioneve mund të sjellin një kursim nga 0.25 deri në 0.50 për qind të GDP-së brenda 2015-s dhe 1 për qind duke filluar nga 2016-a, veprime këto që do të pasohen nga shkurtimi i pensioneve të parakohshme dhe rritja e moshës së pensionit në 67 vjeç, brenda vitit 2022.

Top Channel