Qeveria ruse publikon manualin për “selfie”

10/07/2015 00:00

Rusët nuk i kanë shpëtuar dukurisë botërore të vetëshkrepjes (selfie) dhe për këtë në ndihmë u vjen tashmë edhe një manual për vetëshkrepjen perfekte.

Qeveria ruse është shqetësuar për numrin e personave që kanë gjetur vdekjen në përpjekje për të bërë një foto “selfie”. Për këtë ka publikuar një manual të zgjeruar dhe me sinjalistikën e nevojshme për “selfie-t teknikisht jokorrekte”.

Manuali është hartuar i frymëzuar nga rastet dhe rrethanat ku personat që e kanë tentuar kanë gjetur vdekjen.

Në manual nuk këshillohet vetëshkrepja me pistoletë në dorë, as ajo buzë godinave të larta. Nuk këshillohet “selfie” në mbi shtyllat e tensionit të lartë, duke ngjitur shkallët, duke ngjitur një mal, para trenit, metrosë, autobusit dhe në varkë.

Për të shpjeguar gjithë manualin, autoritetet ruse kanë ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi me sloganin: “Jeta dhe shëndeti yt nuk ja vlejnë të rrezikohen as për një milion klikime”.

Manuali lindi pas rasteve të vdekjeve të çuditshme të raportuara në media. Më i fundit i tyre ishte ai i vdekjes së një vajze të re gjatë përpjekjes për të bërë një “selfie” me pistoletë në dorë. Për autoritetet, veç butonit të telefonit, vajza shkrepi edhe këmbëzën e pistoletës.

Top Channel