Kosovë, komisionet miratojnë amendamentet për krijimin e FAK

10/07/2015 00:00

Institucionet e Kosovës kanë marrë sërish iniciativën për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Legjislacion, me shumicë votash miratoi amendamentet kushtetuese që i dërgoi qeveria në Kuvend, të cilat kanë marrë edhe dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu tha se amendamentet do t’i procedohen menjëherë Kryesisë së Kuvendit, nga e cila kërkoi që t’i kalojë pa vonesa në seancë plenare.

Për të sqaruar rëndësinë e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, të premten në Komisionin për Legjislacion ishin të pranishëm edhe deputetë të Komisionit të Sigurisë, të cilët kërkuan unitet nga të gjitha forcat politike për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

“16 vjet pas luftës, Kosova ka të drejtë të ketë ushtrinë e saj. Një shtet sovran përfaqësohet me ministër të Jashtëm, me Kushtetutë dhe me garantuesin e sovranitetit, që është ushtria. Këto janë amendamentet e komisionit tuaj dhe unë ju kisha thënë bindshëm që ne do t’i përkrahnim ato. Ne do të jemi të gatshëm të lusim edhe komunitetin serb për unitet, pasi është me rëndësi që vetë ai të kuptojë se ka rolin e tij në këtë proces”, deklaroi Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit të Sigurisë.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi u bëri thirrje kolegëve që mos të pranojnë asnjë variant që fut krijimin e ushtrisë së Kosovës në ndonjë pako me vendime të tjera të kompromiseve, siç flitet për Asosacionin e Komunave Serbe, apo me Gjykatën Speciale.

“Unë shpresoj se në të ardhmen do të kem mbështetjen tuaj që në çdo rast ushtria e Kosovës të mos futet në ndonjë paketë. Ne përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe interesi i tyre është që ushtria të mos përfshihet në asnjë konçesion në dëm të shtetit të Kosovës”, ka thënë Selimi.

Pas diskutimeve dhe mbështetjes pro Forcave të Armatosura, deputetja e Listës Serbe në Komisionin për Legjislacion, Milena Miliqeviç votoi kundër amendamentit kushtetues, ndërsa nuk pranoi të fliste para mediave nëse kjo parti do të votojë kundër edhe në seancë plenare.

Për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përveç dy të tretave të deputetëve shqiptarë duhet të votojnë edhe dy të tretat e deputetëve minoritarë, të cilët deri tani kanë paralajmëruar votat kundër.

Top Channel