Kosovë, anulohet peticioni kundër shtrenjtimit të energjisë. Reagon opozita

10/07/2015 00:00

Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën braktisën këtë të premte punimet e kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste ndaj rrëzimit të peticionit kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike dhe miratimit të propozimeve të bëra nga komisioni përkatës parlamentar.

Anëtarët e komisionit kishin ndryshuar dy pikat kryesore të peticionit, atë për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë dhe shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, shefat e tre grupeve parlamentare të opozitës u zotuan se do të riprocedojnë nga fillimi peticionin e nënshkruar nga 33 mijë qytetarë të Kosovës, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Shumë njerëz, shumë vullnetarë dhe shumë organizata kanë bërë qindra orë punë, kanë vrapuar në çdo kënd të Kosovës, kanë mobilizuar resurse dhe janë takuar me qytetarët, me të cilët kanë formuluar bashkë kërkesat, mbi të cilat qytetarët kanë vendosur firmën. Tani, pas gjithë kësaj, peticioni i 33 mijë qytetarëve vjen në Kuvend dhe anulohet. Kjo është e pafalshme. Mendoj se kemi të bëjmë me një shkelje të papranueshme në Kuvendin e Kosovës. Ftojmë mazhorancën LDK-PDK që ta konsiderojë si të paligjshëm, ose të paktën të pavlefshëm votimin lidhur me këtë çështje”, tha Glauk Konjufca, nga VV.

“Si mund të arsyetohet rritja e çmimit kur ka avari në stacionin “Kosova A” dhe kur çmimi i energjisë në prodhim nuk është rritur, por është rritur vetëm në shitje? Avaria nuk ka ndodhur tek KEDS-i, por tek “Kosova A”. Kjo tregon sërish se kjo plaçkitje e qytetarëve është bërë përmes një mafieje energjitike dhe krimit të organizuar, që i kanë rrënjët tek qeveria e Kosovës dhe në bordet që zgjidhen nga mazhoranca, që mundohen t’i mohojnë opozitës t’i thotë këto nga foltorja e Kuvendit. Por ne do t’i riprocedojmë kërkesat origjinale të 33 mijë qytetarëve deri në arritjen e rezultateve, derisa kjo klasë politike që ka zaptuar pushtetin të kuptojë demokracinë”, tha Donika Kadaj Bujupi nga AAK.

“Ne si grup opozitar kemi adresuar kërkesat e 33 mijë qytetarëve, por nuk kemi gjetur mbështetje as në komision e as në Kryesinë e Kuvendit. Ndërkohë, komisioni ka ardhur me disa rekomandime që i ka bërë pa pajtimin e opozitës dhe duke anashkaluar kërkesat e qytetarëve. Sot është bërë një shkelje e rëndë në dëm të qytetarëve, të cilët kërkojnë nga ne mbështetje”, tha më tej Valdete Bajrami, nga Nisma.

Në anën tjetër KOSID, Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, i ka dërguar Kuvendit kërkesën dhe peticionin e nënshkruar nga 33 mijë qytetarët për çmimin e energjisë elektrike.

Në një konferencë për shtyp, drejtuesit e KOSID shprehën shqetësimin për mungesën e vullnetit politik të deputetëve lidhur me këtë peticion, duke kërkuar sqarim se, “përse nuk është proceduar për votim në seancë plenare peticioni me përmbajtje dhe kërkesa origjinale”.

Top Channel