Propozimet më të fundit të Greqisë, që në thelb rinovojnë politikat e ekonomisë vendase dhe bëjnë shkurtime të buxhetit, janë më afër kërkesave të kreditorëve. Në këtë përfundim kanë arritur disa nga zyrtarët e Eurozones.

Megjithatë ato nuk janë të mjaftueshme. Plani 13 prej faqesh, i hartuar nga qeveria e Athinës, do të përcaktojë njëherësh edhe fatin e Greqisë brenda Euros, nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e saj, ose jo. Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh skeptike. Ajo reagoi një ditë pas shpalosjes së propozimeve, ku shkurtimisht tha se masat e reja duhet të shkojnë përtej atyre që kreditorët kishin kërkuar me parë nga Greqia.

Mediat ndërkombëtare flasin se Merkel tani është në presion dhe se përballë ka një sfidë shumë të madhe; atë të borxhit grek. Sipas tyre, kancelarja ndodhet mes dy zjarresh;  atij të popullit gjerman, ku në një sondazh të zhvilluar së fundmi gati gjysma e tyre kërkon që Greqia të lërë Eurozonën, si edhe kolegëve ndërkombëtarë, që nuk e duan një skenar “Grexit”.

Burime të aferta me Merkel tregojnë në kushte anonimati se, shpesh privatisht ajo thotë se Alexis Tsipras e ka vënë vendin e tij me shpatulla pas muri, ndërsa qasja e saj në publik është më diplomatike, duke thëne se Greqia, i ka ende dyert e hapura.

Krahu i saj i djathtë, ministri gjerman i Financave, Shauble u shpreh se mundësia e shlyerjes së borxhit do të diskutohet deri në samitin e të dielës, por sipas tij, hapësira kohore për të manovruar është shumë e vogël.

Presidenti francez, Francois Hollande, i sheh propozimet e Greqisë si të besueshme dhe serioze. 10 punonjës të ministrisë franceze të Financave, sipas “Le Figaro”, kanë qëndruar këto ditë në Athinë për të ndihmuar qeverinë greke të formësojë propozimet e kërkuara për ndalimin e një “Grexit”. Nga ana tjetër, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, reagoi ndër të parët nga kolegët e tij nëpërmjet një statusi në Twitter.

“Nuk ka rëndësi se si. Ndihmojeni Greqinë dhe largojini justifikimet se ka një filozofi të gabuar ekonomie, e cila po shkakton krizën. Bankat duhet të rihapen”, shkruan ai.

Ndërsa presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem u shpreh se propozimet e prezantuara nga Athina , janë “tërësore”, por duhet të vlerësohen në bazë të efektit të tyre. Sipas tij, vendimi për Greqinë mund të jepet edhe të shtunën nga takimi i Eurogrupit.

Reagime vijnë edhe përtej Atlantikut, ku Sekretari i Thesarit amerikan, Jack Lew tha se Greqia dhe Europa duhet të rindërtojnë besimin, megjithatë, sipas tij, Athina e ka marrë guximin për ta thyer akullin.

Ndërsa Presidenti rus, Vladimir Putin, shpreson që kriza të zgjidhet sa më shpejt.

“Është diskutuar gjatë se Moska i ka ofruar mbështetje financiare qeverisë së Athinës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ajo që dua të them është se shpresoj shumë që çështja e borxhit ekonomik të saj të mbarojë pa shkaktuar dëme edhe më të mëdha”, thotë Putin.

Top Channel