Tifozët festojnë 3-pikëshin. Tirana e Prishtina vishen kuqezi pas vendimit të CAS

10/07/2015 00:00

Thirrjes së grupimit “Tifozat Kuqezi” për t’u mbledhur në sheshin “Nënë Tereza” rreth orës 20:00, për të festuar 3-pikëshin e marrë në tavolinë ndaj Serbisë, i janë përgjigjur qindra mbështetës të kombëtares.

Për orë e orë me radhë në skenën e “Digitalb Arena” janë ngjitur tifozë e gazetarë, të cilët në kor kanë kënduar këngë për Kombëtaren Shqiptare, e cila pas këtij vendimi është më pranë se kurrë ëndrrës për të marrë pjesë në “Euro 2016”.

Por ashtu si në çdo organizim të “Digitalb Arena” dhe “Tifozat Kuqezi”, e njëjta situatë ishte dhe në Prishtinë, ku në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytetin e Kosovës, qindra mbështetës u mblodhën për të festuar atë që cilësohet nga të gjithë shqiptarët, vendosja e drejtësisë në vend, dhënien e 3 pikëve Kombëtares Shqiptare pas natës së ferrit në Beograd.

CAS-i vendosi drejtësinë në vend pas 9 muajsh pritje. Dy herë radhazi UEFA na e kishte mohuar të drejtën e marrjes së pikëve, duke na akuzuar për refuzim të daljes në fushën e lojës pas ndërprerjes.

Me këtë pikë në të dyja shkallët e drejtësisë sportive, UEFA e bëri nul ndeshjen sa i përket shifrave me një lojë fjalësh, ndërkohë që gjobiti të dyja federata me nga 100 mijë euro. Por Gjykata e Arbitrazhit të Lozanës, shkalla më e lartë dhe e fundit e drejtësisë sportive, ka rrëzuar këto dy vendime të mëparëshme.

“E drejta fitoi! Futbolli fitoi! Mendoj që fitoi jo vetëm futbolli shqiptar. E kam thënë që pas asaj ndeshje në Beograd, që para se të gjykonte Komisioni i Disiplinës në UEFA, ajo ndeshje nuk ishte e barabartë, dhe më në fund vërtetoi atë që thamë ne. Nuk bënë fajtore Shqipërinë për ndërprerjen e ndeshjes, për braktisjen e ndeshjes dhe në mënyrë simbolike, një gjë që më pëlqeu është që bënë serbët që të paguajnë edhe shpenzimet e gjyqit”, deklaroi Duka.

Ndërkohë avokati përfaqësues i Federatës Shqiptare dhe anëtari i komitetit të FSHF-së, Artan Hajdari ka shpjeguar shkurtimisht këtë vendim të zbardhur prej 74 faqesh.

“Fakt është që nuk gjendet në faj kombëtarja jonë, është gjetur përgjegjësi mënyra sesi është administruar nga ana e arbitrit loja, po kështu edhe rrethanat e sigurisë që ju i dini. Përsa i përket çështjes së banerit, ne jemi gjetur fajtorë”, tha avokati Hajdari.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel